“ACR”, letër minatorëve: Ndërprisni grevën

06/08/2011 20:15

Kompania konçensionare “ACR”, gjatë ditës së sotme, nëpërmjet një letre, u ka bërë thirrje minatorëve grevistë që të ndërpresin grevën, e cila ka hyrë në ditën e 13-të të saj.

“Nisur nga situata e krijuar, ku komunikimi midis nesh është bllokuar në mënyrë të papërgjegjshme nga një grup personash që pretendojnë se përfaqësojnë vullnetin tuaj, po ju drejtohemi nëpërmjet kësaj letre ju dhe familjes tuaj, që të ndërprisni grevën e urisë, sepse nuk ka asgjë më të shtrenjtë se sa shëndeti juaj”, thuhet në letër.

“Ndihem shumë keq kur shikoj minatorët e “ACR”-së që përdoren duke u mashtruar nga individë të veçantë që nuk kanë asnjë lidhje me minierën. Dua që jo vetëm si drejtues i “ACR”-së, por edhe si punonjës i kësaj kompanie, të bëj me dije se Bordi Drejtues i “ACR”-së, ka vendosur të pranojë kërkesën për rritjen e pagës me 20% dhe se mbetet i hapur gjithashtu për bisedime të mëtejshme”, thuhet në këtë letër që administratori Giga Bedinenshvill u ka drejtuar minatorëve.

“Vetëm nëpërmjet bisedimeve, negociatave dhe respektimit të kuadrit ligjor në fuqi do të mund të zgjidhim ato probleme që na prekin të gjithëve. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të ndërtojmë një të ardhme si për familjet tuaja, ashtu edhe për kompaninë dhe gjithë qytetin e Bulqizës”, nënvizohet në letër.

Në bisedimet tona, vijon më tej letra, nuk do të lejojmë të ndërhyjnë njerëz të jashtëm, që nuk kanë asnjë lidhje me kompaninë tonë, me hallet tona të përbashkëta, por që përkundrazi po përdorin jetët e minatorëve tanë dhe të ardhmen e familjeve të tyre për përfitime tërësisht personale.

Për mua nuk është aspak e pranueshme dhe morale, thotë në lëtrën drejtuar minatorëve administratori i “ACR”-së, që të sakrifikohen punëtorët e kompanisë sonë për interesa shumë të ngushta të njerëzve si Kol Nikolli.

“Nuk mund të bie dakord me një situatë të tillë e nuk do të pranoj kurrë të bisedoj me njerëz të tillë që nuk u dhimbset jeta dhe e ardhmja e familjeve të kompanisë sonë. Jam i bindur se ju do të mirëkuptoni këtë thirrje për bashkëpunim dhe mbetem në dispozicionin tuaj për të filluar dialogun sa më parë”, përfundon letra e ACR-së dërguar minatorëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA