Agjentë të policisë serbe, të dërguar nga Ministria e Brendshme e këtij
vendi, janë shfaqur mes turmave të banorëve serbë në veri të Kosovës, të
cilët i kanë nxitur për kryerjen e akteve të dhunës.

Lajmin e bën të ditur televizioni KTV, që ka transmetuar pamje të agjentëve serbë në këtë zonë të Kosovës.

Gjithashtu, sipas të njëjtit burim, në trazira janë përfshirë edhe biznesmenë të njohur serbë që kontrollojnë kontrabandimin e naftës.

Mes tyre spikat emri i një personi të identifikuar si Zvonko, i cili ka shërbyer edhe si truprojë e negociatorit serb Borko Stefanovic në takimin me gjeneralin Erhard Byhler.

Këta të dy u takuan sërish mbrëmjen e djeshme, por pas takimit nuk bënë asnjë deklaratë, duke u hapur rrugën dyshimeve mbi arritjen e një marrëveshje.


Countryman: Të shqetësuar për veriun

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, Thomas Countryman ka shprehur keqardhje për aktet e dhunës të regjistruara në veri të Kosovës.

Megjithatë, në një intervistë për mediat boshnjake, Countryman ka konfirmuar angazhimin e vendit të tij dhe faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e situatës.

“SHBA, BE dhe KFOR-i po përpiqen për zgjidhjen e përkohshme të situatës, për të mundësuar vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit”, ka deklaruar Countryman.

Gjatë intervistës, zyrtari amerikan ka shprehur bindjen e tij se dhuna dhe tensioni i regjistruar në veri të Kosovës nuk do të depërtojë në Bosnje e Hercegovinë.

“Kriza në Kosovë nuk mund të reflektohet në BeH, por megjithatë ka njerëz që do të donin që një situatë të tillë ta përdornin si argument politik”, ka pohuar Countryman.


Byhler: Mungesa e ligjit, shkak i dhunës

Komandanti i trupave të KFOR-it, gjenerali Erhard Byhler ka deklaruar se mungesa e ligjit në veri të Kosovës është shkaku i dhunës dhe i krizës që ka përfshirë këtë zonë të shtetit të ri.

Në një intervistë për gazetën gjermane “Der Tagesspiegel”, Byhler është shprehur se në veri veprojnë struktura kriminale të mirëorganizuara që cënojnë paqen dhe sigurinë.

“Ky është një nga shkaqet kryesore të problemit. Këtu është lejuar për një kohë të gjatë krijimi i strukturave radikale. Ato janë grupe shumë të fuqishme kriminale dhe me përbërje multietnike”, ka deklaruar Byhler.

 

Top Channel