“Piramida”, nismë për referendum

05/08/2011 11:40

Refuzimi i Presidentit të Republikës për dekretuar apo për të kthyer
edhe njëherë në Parlament ligjin për ndërtimin e kompleksit të ri
parlamentar ka shkaktuar të pakënaqur.

Në këtë mënyrë presidenti i Republikës ka refuzuar t’i japë ligjit pëlqimin e tij, por duke mos e kthyer në parlament për rishqyrtim, ligji hyn në fuqi pavarësisht heshtjes presidenciale.

Sot paradite përfaqësues të disa shoqatave rinore zhvilluan një konferencë shtypi përpara Presidencës.Ata u shprehën të zhgënjyer që Presidenti Bamir Topi, i “fundit i mohikanëve” sic e quajtën ata presidentin aktual përpara zgjedhjes së presidentit të ardhshëm me 71 vota, nuk e ktheu ligjin në Parlament në formë të pastër refuzimi. Këto shoqata rinore i shtohen numrit të madh të përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe qytetarëve të Tiranës që me një peticion të mëparshëm për një referendum lokal, tubim festiv, botimin e një libri apo edhe intervista të shumta, kanë kërkuar që kompleksi i ri parlamentar të mos ngrihet në vendin ku ndodhet sot Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Pjetër Arbnori”.

Të rinjtë thanë se do të fillojnë mbledhjen e 50 mijë firmave për mbajtjen e një referendumi për shfuqizimin e ligjit për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, ashtu sic parashikohet në nenin 150 të Kushtetutës.


Topi nuk firmos “Piramidën”

Të mërkurën ishte afati i fundit për Presidentin e Republikës për të dekretuar, apo për të kthyer edhe njëherë për rishqyrtim në Parlament, ligjin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar.

Ky kompleks do të ndërtohet në vendin ku sot ndodhet Qendra Ndërkombëtare e Kulturës. Mundësia e prishjes së kësaj godine ka shkaktuar një reagim mbarë qytetar në Shqipëri, por edhe përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, deri edhe Zyra e Komisionerit për Zgjerimin Shtefan Fyle në Komisionin Europian.

Përballë kësaj ndjeshmërie Presidenti zgjodhi të mos e dekretojë ligjin. Ligji që do të hyjë në fuqi pa marrë firmën e kreut të shtetit, ashtu sic parashikohet nga Kushtetuta.
 

Top Channel