Kryeministri i Kosoves, Hashim Thaçi deklaron se nuk ka krizë humanitare në veri të Kosovës.

Por shefi i qeverisë së Kosovës theksoi se nëse agjencitë e Kombeve të Bashkuara konstatojnë se ka krizë, institucionet e Kosovës janë të gatshme të bashkëpunojnë në çdo drejtim.

“Shqetësimi ynë ndërlidhet me formulimet e raportuara për kriza dhe nevoja humanitare. Pikë së pari në Kosovë nuk ka krizë humanitare. Në Mitrovicë të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara që merren me çështje humanitare kanë konkluduar se nuk ka asnjë lloj krize humanitare në veri. Më lejoni ta them qartë, që ne nuk i kemi braktisur në asnjë rrethanë dhe nuk do t’i braktisim qytetarët tanë në veri. Ata janë shtetasit tanë, qytetarët tanë dhe ne do t’u dalim në ndihmë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që kemi në nivel qendror dhe nivel lokal”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se edhe komandantit të KFOR-it ia ka bërë të qartë, se institucionet e Kosovës do t’i kryejnë detyrimet e veta nëse vlerësohet se ka krizë humanitare.

Thaci: Prekja e kufijve, efekt domino

Kryeministri kosovar Hashim Thaci i ka bërë të qartë Serbisë, por edhe BE-së, se prekja e kufirit të Kosovës mund të hapë temën e ndryshimit të kufijve në të gjithë Ballkanin.

Thaci ka ritheksuar se, edhe pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, nuk do të ketë kthim prapa në gjendjen e status kuosë.

“Vijat tona të kuqe me Beogradin janë të qarta”, ka deklaruar Thaci gjatë mbledhjes urgjente të qeverisë së tij.

Më tej, duke folur për takimin me zyrtarin e BE Robert Cooper, Thaci ka saktësuar se i ka rikonfirmuar atij prirjet evropiane të Kosovës.

 Thaci: Nuk ka me kthim prapa

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi deklaron se nuk ka më kthim prapa dhe se aksioni i policisë në veri është bërë  në baza kushtetuese dhe ligjore, me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit në gjithë Kosovën.

Shefi i qeverisë së Kosovës theksoi se “nuk mund të lejohet përjetësisht që një pjesë e territorit të saj të mbetet “vrimë e zezë” jo vetëm në Kosovë, por edhe në Evropë”.

Top Channel