Tatarzynska: Ngërci politik, pengesë për integrimin

03/08/2011 10:00

Ambasadorja polake në vendin tonë Irena Tatarzynska deklaron se ngërci
politik në Shqipëri mbetet pengesë e madhe për procesin e integrimit në
Bashkimin Evropian.

Duke folur në një intervistë për radion Deutsche Welle, ambasadorja e vendit që ka presidencën e radhës së BE-së, tërhoqi vëmendjen se mungesa e një dialogu mes palëve vijon që prej përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009 dhe se vendi duhet të fokusohet në përmbushjen e kritereve dhe kushteve, sepse kjo është rruga e vetme e integrimit.

“Tani që zgjedhjet lokale për Tiranën janë një kapitull i mbyllur mendoj se është koha për t’u fokusuar tek çështjet kyçe të integrimit, për të bërë të mundur përgjigjen pozitive për 12 aspektet e indentifikuara nga Komisioni Evropian për Shqipërinë”, tha Tatarzynska.

Kryediplomatja polake në Tiranë theksoi se shanset që Shqipëria të marrë statusin e kanditatit për ne BE janë tërësisht në dorën e shqiptarëve.

“Kur do të përmbushen detyrimet? Kuptohet që kjo është në dorën e politikanëve shqiptare dhe të qeverisë”, tha ambasadorja.

Ndërkohë rreth zgjedhjeve lokale të 8 majit, ambasadorja u shpreh se ende nuk ka një raport final nga OSBE/ODIHR-I, por nga raportet paraprake e qëndrimet e qarta të muajit të kaluar të Baroneshës Ashton dhe Komisionerit Fyle është shprehur shqetësimi për frymën kontraverse dhe të polarizuar që është mbajtur ndaj vendimeve që janë marrë nga KQZ apo Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit në Tiranë.

“Në mënyrë të qartë nga komuniteti ndërkombëtar është apeluar disa herë që përmirësimi i kodit të bëhet në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Këto qëndrime tregojnë qartë për rëndësinë që ka realizimi i reformës zgjedhore në Shqipëri”, tha ambasadorja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA