Në rrugën kryesore Mitrovicë- Rashkë, në Rudare të komunës së Zveçanit,
serbët kanë vendosur një kryq të lartë rreth shtatë metra.

Sipas Telegrafit, serbët kanë vënë kryqin që është një konstruksion metali, në rrugën ku kanë vendosur prej tashmë 9 ditësh barrikada.

Mediat serbe raportojnë se serbët kanë përsëritur deklaratat e përfaqësuesve të tyre se nuk do të largohen derisa të kthehet gjendja para 25 korrikut.

SHBA: Të hiqen barrikadat në veri

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Tomas Kantrimen ka konfirmuar se vendi i tij mbështet fuqishëm sovranitetin e shtetit të Kosovës, ndërsa ka bërë të qartë se barrikadat e vendosura nga serbët në veri duhet të largohen.

Në një intervistë dhënë RTK-së, Kantrimen ka ripërsëritur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se ndarja e Kosovës nuk do të ndodhë, edhe pse disa politikanë serb e preferojnë një gjë të tillë. Ai shprehu shqetësimin e Uashingtonit zyrtar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Për më tepër, Kantrimen ka thënë se SHBA përkrah shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës. Duke folur për embargon e dyanshme, Kantriman i ka quajtur vendimet të paligjshme.

KFOR kërkon trupa shtesë

KFOR-i kërkon nga komanda e NATO-s trupa shtesë për Kosovën. Dhe reagimi i NATO-s ka qenë i menjëhershëm. Zëdhënësja Carmen Romero ka thënë se forcave të KFOR-it në Kosovë u është ofruar ndihmë me trupa shtesë për ruajtjen e sigurisë.

Zyrtarët e KFOR-it nuk kanë dhënë numrin e ushtarëve që do të zbarkojnë këtu, por kanë përmendur se bëhet fjalë për një batalion ushtarësh. Rikthimi i ushtarëve të NATO-s në Kosovë bëhet pas përkeqësimit të situatës në pjesën veriore, ku para një jave shkuan forcat speciale të policisë ndërkaq si kundër reagim, serbet e rebeluar dogjën pikën kufitare 1 në Jarinjë.

Situata vazhdon të jetë e tensionuar, teksa KFOR-i konfirmon se midis serbëve në barrikada ka edhe snajperë. Sidoqoftë, komandanti i KFOR-it, Erhard Byhler i cili po thuaj gjithë kohës po qendron në pjesën veriore tha se gjithcka është nën kontrollin e KFOR-it.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA