
Kongresmeni amerikan Eliot Engel ka mbështetur operacionin e forcave speciale kosovare për vënien nën kontroll të pikave kufitare në veri.
“Veprimi i kryeministrit Hashim Thaci për vënien nën kontroll të pikave doganore ishte një vendim i drejtë”, ka deklaruar Engel.
Në një intervistë për “VOA”, kongresmeni i njohur i ka bërë thirrje Serbisë që të njohë sa më shpejt pavarësinë e Kosovës.
“Nuk është e drejtë që mallrat e Serbisë të lejohen të hyjnë në Kosovë, ndërsa mallrat e Kosovës të ndalohen plotësisht në Serbi”, ka shtuar Engel.
SHBA: Të hiqen barrikadat në veri
Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Tomas Kantrimen ka konfirmuar se vendi i tij mbështet fuqishëm sovranitetin e shtetit të Kosovës, ndërsa ka bërë të qartë se barrikadat e vendosura nga serbët në veri duhet të largohen.
Në një intervistë dhënë RTK-së, Kantrimen ka ripërsëritur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se ndarja e Kosovës nuk do të ndodhë, edhe pse disa politikanë serb e preferojnë një gjë të tillë. Ai shprehu shqetësimin e Uashingtonit zyrtar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
Për më tepër, Kantrimen ka thënë se SHBA përkrah shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës. Duke folur për embargon e dyanshme, Kantriman i ka quajtur vendimet të paligjshme.
Top Channel