Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell ka deklaruar se institucionet e Kosovës janë të afta dhe kanë kapacitetet e duhura për t’i marrë vetë vendimet.

Me këtë deklaratë, Dell i është kundërpërgjigjur akuzave të bëra ndaj tij nga presidenti serb Boris Tadic, se po ndërhyn në politikën e Prishtinës zyrtare.

“E falenderoj Tadic për akuzat”, ka deklaruar me ironi Dell, duke shtuar se, “Beogradi duhet ta pranojë dhe ta kuptojë se institucionet e Kosovës kanë kapacitetet e duhura për t’i marrë vetë vendimet për vendin e tyre”.

Ambasadori amerikan ka shtuar se Serbia dhe Kosova tani duhet të bashkëjetojnë dhe të respektojnë vendimet e njëra-tjetrës.

Këto deklarata ai i ka bërë gjatë një ceremonie për fillimin e ndërtimit të shtëpisë së kulturës në fshatin Badoc, ku ishte i pranishëm edhe kryetari serb i komunës së Gracanicës, Bojan Stojanovic.

“Duhet të punojmë të gjithë së bashku. Duhet t’ju falenderoj për urtësinë që keni treguar, nuk është e lehtë, ndjenjat janë ende të forta, por duhet të përcjellim porosinë se stabiliteti të con drejt progresit. Duhet të mblidhemi në tryezë, pavarsisht se sa të ndryshme janë qëndrimet”, ka thënë Stojanovic. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA