Bllokimi i gazit në Porto Romano

03/08/2011 16:05

Shoqëria koncesionare që shfrytëzon portin e Porto Romanos ka reaguar
ndaj akuzave të Autoritetit të Konkurrencës për bllokim të terminalit
shkarkues të gazit për qëllime monopoli.

Përmes një njoftimi për shtyp, shoqëria që ka koncesionin e portit thotë se nuk e ka lejuar shkarkimin e anijes së një shoqërie private vetëm për arsye sigurie. Sipas saj, kompania që nuk u lejua të shkarkojë nuk ka patur dokumentacionin e nevojshëm ligjor, që vërteton plotësimin e kritereve të sigurisë.

Drejtuesit e terminalit thonë se kompania nuk ka lejen e shfrytëzimit të depozitave dhe linjave të shkarkimit, të cilat sipas tyre ndodhen në gjendje jo të mirë teknike. Në këto kushte thuhet në njoftimin zyrtar, nëse do të lejohet shkarkimi ka rrezik për shpërthime në strukturat e portit dhe depozitave përreth, që do të ishte me pasoja katastrofike për gjithë zonën.

Shoqëria koncesionare thotë se në asnjë rast nuk do të lejojë veprimet e paligjshme, që mund të vënë në rrezik sigurinë e portit dhe i kërkon autoriteteve përgjegjëse shtetërore dhe ministrive të linjës, që të marin qëndrim të qartë ndaj kësaj situate.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA