“Nuk ka bisedime me askënd për Veriun e Kosovës, apo për çështje tjera që kanë të bëjnë me rregullin e brendshëm”. Kështu ka deklaruar gjatë së martës pasdite, kryeministri Hashim Thaçi në një mbledhje të qeverisë së Kosovës.

Kjo mbledhje është mbajtur menjëherë pas takimit që kryeministri dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritarë, e kanë pasur me ndërmjetësuesin e Bashkimit Europian në dialogun teknik Kosovë-Serbi, Robert Cooper.  
 
Për vijat e kuqe në dialogun me Serbinë, që njëherësh është qëndrimi i Prishtinës zyrtare, kryeministri tha se se e ka njoftuar z. Cooper gjatë këtij takimi.
 
“Vijat e kuqe për dialog, respektimi i plotë i Kushtetutës dhe rezolutës së Kuvendit. respektimi i plotë i sovranitetit dhe integritetit dhe rregullimi i brendshëm nuk mund të jenë në asnjë rrethanë pjesë e një dialogu. Rregullimi i brendshëm është i rregulluar qartë me Kushtetutë, ligjet dhe dokumentin e Ahtisarit”, tha kryeministri Thaci.
 
Në anën tjetër, kryeministri i është përgjigjur zërave në Serbi për ndarje të Kosovës. Ai ka thënë se kjo nuk do të ndohë asnjëherë, as “de jure” e as “de facto”.
 
Madje, prekja e temës së kufirit të Kosovës, për shtetin e ri nënkupton hapjen e temës së kufijve në të gjithë rajonin, ku çdo shtet ka një problem që quhet Mitrovicë.
 
“Prekja e çështjes së kufirit të Kosovës, definitivisht edhe për shtetin e Kosovës nënkupton hapjen e temës së kufijve në gjithë rajonit, e rajoni ynë dhe cdo shtet në rajon e ka nga një problem që quhet Mitrovicë. Ne jemi për hapje të kufijve e në asnjë rrethanë për ndryshim”, vijoi më tej Thaci.
 
Sipas kryeministrit Thaçi, Kosova e ka të qartë axjendën europiane dhe se Brukseli duhet të jetë shumë i qartë me Kosovën.
 
Në Europë ka ose nuk ka shtete, ka thënë Thaçi, sipas të cilit Kosova është shtet, dhe se në BE nuk ka gjysmë shtete.

Top Channel