Komanda e NATO-s në Kosovë ka kërkuar trupa shtesë në këtë vend, për shkak të përshkallëzimit të situatës në zonat veriore.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i KFOR-it, Diter Vihter, në një prononcim për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

“Po kërkojmë trupa nga jashtë. Nuk mund të flas për numra, por bëhet fjalë për një batalion”, ka deklaruar Vihter.

Situata në veri u përkeqësua pas operacionit të forcave speciale kosovare në pikat kufitare 1 dhe 31, që pasoi me vënien e zjarrit nga grupet radikale serbe.

Ndërkohë, trupat e KFOR-it kanë ndërprerë sot operacionet për lëvizjen e bllokadave në rrugë, për shkak të pranisë së snajperave serbë.

Gjermania: Të rikthehet dialogu

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Ernest Reichel ka shprehur keqardhjen e vendit të tij për situatën në veri të Kosovës.

Diplomati ka deklaruar se Gjermania dënon cdo akt dhune dhe vlerëson se zgjidhja më e qëndrueshme mund të arrihet përmes dialogut.

“Normalizimi i gjendjes në veri, në vecanti zgjidhja e cështjes së qarkullimit të mallrave, duhet të jetë temë e procesit të bisedimeve të ndërmjetësuar nga BE”, ka pohuar Reichel.

Më tej ambasadori ka shprehur mbështetjen e vendit të tij për misionet e KFOR-it dhe EULEX-it që veprojnë në Kosovë.

Schilling: Serbia nxit konfliktet

Ish-përfaqësuesi i OKB-së në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schëarz Schilling ka akuzuar Serbinë se nxit trazirat në rajon, në mënyrë që të dëmtojë pavarësinë e Kosovës.

Në një intervistë për një radio gjermane, Schilling është shprehur se në këtë mënyrë Beogradi po i krijon pengesa edhe vetes në rrugën drejt BE-së.

Ndërkohë që Unioni, sipas tij, nuk po gjen një gjuhë të përbashkët për t’i dërguar një mesazh të qartë Serbisë.

“Nisur nga shmangia e pesë vendeve të Evropës që nuk kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, mund të them se Evropa ngurron, duke mos gjetur një gjuhë të qartë. Kjo, pasi një qëndrim i qartë duhet të mbështetet nga të gjitha kombet”, ka deklaruar Schilling.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA