Edhe pse është forca më kritike dhe kundërshtarja më e madhe e qeverisë së kryeministrit Hashim Thaci, lëvizja Vetëvendosje deklaron se mbështet pa asnjë rezervë cdo aksion që ka si qëllim mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës.
Albin Kurti, në një intervistë për Top Channel, thotë se e rëndësishme është që vendosja e kontrollit në veri të vendit të mos jetë një hap i vetëm, por një plan i detajuar.
“Aksioni i policisë para një jave ishte i drejtë e i domosdoshëm, por rezultatet e tij janë të pamjaftueshme, pasi pikat 1 dhe 31 duhet të jenë nën kontrollin e Policisë së Kosovës, me agjentë shqiptarë dhe jo me serbë”, deklaron Kurti.
Sipas tij, gjendja e jashtëzakonshme që mbretëron në veri tregojnë hapur se Kosova ka nevojë për ushtrinë e saj.
“UCK u demilitarizua. Për 8 vite me radhë kemi pasur Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, me shpresën që ajo do të bëhej ushtri. Por plani i Ahtisarit e shuajti atë dhe tani kemi një FSK me 2 mijë persona dhe me armatim të lehtë. Si cdo shtet, edhe Kosova ka nevojë për ushtrinë e saj kur kemi parasysh planet anti-shqiptare”, nënvizon Kurti, i cili sugjeron që të ndërpriten bisedimet me Serbinë.
“Duhet të kemi menjëherë ndërprerje përfundimtare dhe zyrtare të bisedimeve pa kushte dhe pa parime me Serbinë”, shprehet lideri i Vetëvendosjes.
Më tej, ai vlerëson si të domosdoshëm bashkëpunimin e Kosovës me Shqipërinë, duke kujtuar ndihmën e kësaj të fundit në luftën e UCK-së në fund të viteve ’90.
“Është e domosdoshme që qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës të bashkëpunojnë sa më shumë, pasi kështu do të jemi më të suksesshëm. Lufta e UCK-së nuk do të ishte e susksesshme pa Shqipërinë, që ka qenë baza logjistike e luftës. Ne jemi një komb dhe kemi dy qeveri që duhet të bashkëpunojnë për interesin e përgjithshëm të kombit”, shton Kurti.
Top Channel