Kryeministri Hashim Thaci ka përsëritur në një intervistë për “Associated Press” qëndrimin e tij se, nuk do të zmbrapset nga projekti për shtrirjen e ligjit në gjithë territorin e Kosovës.
Gjatë intervistës, Thaci është shprehur se durimi i shtetit të Kosovës është keqpërdorur nga institucionet ndërkombëtare, të cilat sipas tij kanë lejuar që veriu të mbetet jashtë kontrollit të qeverisë.
“Nuk ka kthim prapa dhe nuk ka kompromis me askënd përsa i përket sigurisë së shtetit”, ka deklaruar Thaci.
Kjo është hera e dytë që kryeministri kosovar u adreson kritika ndërkombëtarëve, pas atyre të bëra ndaj EULEX një ditë pas operacionit të forcave speciale.
Thaci deklaroi më 26 korrik se misioni evropian, ose duhet të punojë për të gjithë Kosovën, ose nuk duhet të punojë për askënd.
Megjithatë, marrëdhëniet mes Prishtinës zyrtare dhe EULEX-it u rregulluan pas një takimi që vetë Thaci zhvilloi me Xavier Bout de Marnhac pak ditë më parë.
Top Channel