Pas 18 viteve punë, televizioni i parë privat në Maqedoni, A1, ka ndërprerë transmetimin e programit.
Vendimi është marrë nga Agjencia për Komunikime Elektronike, për shkak se për këtë television me koncesion kombëtar javën e kaluar ishte hapur procedura e falimentimit.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar Shoqata e Gazetarëve, pasi Agjencia për Komunikime Elektronike urdhëroi ndërprerjen e programit pa vendim të Këshillit për Radio Difuzion.
“Vlerësojmë se me këtë akt, Agjencia për Telekomunikime ka suspenduar shtetin ligjor dhe ka shkelur ligjin. Ne druajmë se ky veprim do të mund të përdoret edhe në të ardhmen, që mediat në Maqedoni të mbyllen jashtë procedurës, në kundërshtim me ligjin”, ka deklaruar Naser Selmani, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve.
Ndaj mbylljes së këtij televizioni ka reaguar edhe partia më e madhe opozitare në vend, LSDM, sipas të cilës pas këtij vendimi qëndron Nikolla Gruevski. Por akuzat e këtilla janë hedhur poshtë nga partia e kryeministrit.
Për televizionin A1 u hap procedurë falimentimi pasi u vërtetua se ky medium ka borxhe prej rreth 30 milionë eurosh. Kundër pronarit të tij, Velija Ramovski dhe 20 të punësuarve në firmat e tij, aktualisht po udhëhiqet procedurë penale për evasion fiskal.
Top Channel