Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka vlerësuar operacionin e forcave speciale për kontrollin e pikave kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit.
Në një vizitë në kampin e forcave speciale, pranë aeroportit të Prishtinës, Jahjaga është shprehur se kontrolli i kufijve është një e drejtë sovrane dhe e panegociueshme e Republikës së Kosovës.
“Për këtë nuk do të bisedohet me askënd, por do të bashkëpunohet. Në këtë drejtim shohim edhe misionet EULEX dhe KFOR, me qëllim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Jahjaga.
Kryetarja e shtetit më të ri të Evropës ka përgëzuar agjentët e forcave speciale për misionin e tyre në veri, duke u shprehur se këto ditë ata kanë qenë nderi i Kosovës.
“Ju ngjallët respektin e të gjithë qytetarëve të Kosovës me aksionin që kryet, për të kontrolluar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë detyrë ju e kryet me sukses dhe mundësuat që për herë të parë në 12 vitet e lirisë, ne si shtet të kontrollojmë të gjithë territorin tonë”, është shprehur Jahjaga.
Gjithashtu, gjatë kësaj vizite presidentja kosovare ka nderuar figurën e agjentit Enver Zymberaj, që humbi jetën gjatë operacionit të 25 korrikut.
Top Channel