Sekretari i Jashtëm britanik William Hague dhe ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, kanë shprehur përmes një deklarate të përbashkët për shtyp shqetësimin mbi situatën në veri të Kosovës.
“Ne jemi seriozisht të shqetësuar pas shpërthimit të dhunës në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. E kemi thënë në të kaluarën dhe e përsërisim edhe tani, se mënyra se si do të trajtohen cështjet fqinjësore është pikë referimi për perspektivën evropiane”, thuhet në deklaratë.
Dy diplomatët kanë theksuar se, progresi që do të arrihet në këtë fushë do të luajë një rol kyc në bisedimet që Bashkimi Evropian do të zhvillojë në vjeshtë për vendet e Ballkanit.
Më herët edhe qeveria franceze dënoi aktet e dhunës në veri të Kosovës, kryesisht në pikën kufitare numër 1, në Jarinë, të cilës iu vu zjarri.
Ndërsa shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton deklaroi se, është përgjegjësi e Beogradit dhe Prishtinës që menjëherë të ulin tensionet dhe të vendosin rendin dhe sigurinë për të gjithë.
Top Channel