Pikat kufitare 1 dhe 31 që ndajnë Kosovën me Serbinë nuk do të jenë pjesë e axhendës së bisedimeve me Serbinë. Ky është një paralajmërim i kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi i cili mblodhi sërish kabinetin qeveritar për të adresuar qëndrimin e tij rreth situatës së krijuar.

Thaçi me një ton të ashpër iu drejtua diplomatëve të huaj që të mos negociojnë për kufirin verior të Kosovës me zyrtarët serbë të cilët ditëve të fundit siç tha kryeministri kanë qendruar në mënyrë ilegale në Kosovë.

Këtu numri një i qeverisë iu referua shefit të ekipit negociator Borko Stefanoviç dhe zyrtarit tjetër Goran Bogdanoviç të cilët i bëri përgjegjës për trazirat në veri.

“Çështjen e pikave kufitare nuk do ta rigoneciojmë me askënd, nuk do të ketë rikthim prapa nuk do të ketë rikthim në status quo, nga 25 korriku, Kosova është ndryshe, është hapur kapitull i ri, i funksionalizimit të sovranitetit të plotë nga autoritetet e RKS dhe askush me këta zyrtare ilegal të Serbisë, qofshin diplomatë apo zyrtarë ndërkombëtar nuk kanë të drejtë të ulen të diskutojnë në emër të Kosovës për Kosovën dhe çështjet e brendshme të rregullimit të Kosovës. Bisedime do të ketë, por me axhendën e Bashkimit Europian dhe Amerikës”, është shprehur Thaçi.

Aksioni i së hënës i policisë për marrjen e kontrollit mbi veriun është faza e parë dhe, sipas kryeministrit, do të vazhdojë tutje me luftimin e paramilitarëve serbë.

“Do të vazhdojmë hapjen e rrugëve në luftimin e kontrabandistëve dhe militarëve, institucionet janë të gatshme të ballafaqohen me mbeturinat e Ballkanit të instaluara para 20 vitesh në territorin e Ballkanit”, tha Thaçi.

Në këtë takim, z.Thaçi pasqyroi gjendjen në dy pikat kufitare 1 dhe 31. Teksa për pikën 1 në Jarinjë, ai ftoi autoritetet përkatëse të riparojnë logjistikën e dëmtuar me qëllim që të dërgohen oficerët e policisë dhe doganierët, në pikën 31 Thaçi tha se po zbatohet reciprocitet i plotë për mallrat serbe.

Kryeministri kosovar shtoi se për herë të parë është ndaluar kontrabanda në masë 100 përqind.

Qeveria e Kosovës falenderon sërish KFOR-in për ndihmën e ofruar, ndërkaq i bëri thirrje EULEX-it që të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës duke zbatuar Kushtetutën e Republikës.

Top Channel