Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë-Beograd, Robert
Cooper do të vizitojë Serbinë dhe Kosovën në fillim të javës së
ardhshme.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton ka njoftuar vizitën e tij pas mbledhjes së Komisionit të BE-së për Politikë dhe Siguri, ku është diskutuar situata në Kosovë.

Ashton ka deklaruar edhe njëherë se kthimi i dialogut mbetet e vetmja mënyrë që Beogradi dhe Prishtina të zgjidhin cështjet e hapura.

“BE pret të arrihet një progres i shpejtë dhe i domosdoshëm”, ka pohuar Ashton, duke kërkuar nga të dyja palët që t’i shmangen përkeqësimeve të mëtejshme të situatës.

BE përsërit apelin për qetësi

Bashkimi Evropian ka përsëritur sot apelin drejtuar Serbisë dhe Kosovës për kthimin e qetësisë pas akteve të dhunës në “kufirin e përbashkët”.

“Të dyja palët duhet të dinë mirë se cfarë përbën rrezik për to”, thuhet në deklaratën e sotme të shefes së Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton.

Aktualisht pikat kufitare 1 dhe 31 janë nën kontrollin e trupave të KFOR-it, që i ka shpallur ato zona të kufizuara ushtarake.

Ditën e djeshme Ashton deklaroi se, është përgjegjësi e Beogradit dhe Prishtinës që menjëherë të ulin tensionet dhe të vendosin rendin dhe sigurinë për të gjithë.

Ndërkohë, shqetësimeve për veriun u janë bashkuar edhe Britania me Gjermaninë, ministrat e Jashtëm të të cilave kanë nënvizuar se, marrëdhëniet fqinjësore janë jetike për perspektivën evropiane.

Ashton: Dhuna nuk tolerohet

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka dënuar dhunën në veri të Kosovës, duke thënë se është përgjegjësi e Beogradit dhe e Prishtinës që menjëherë të ulin tensionet dhe të vendosin rendin dhe sigurinë për të gjithë.

“E dënoj fuqishëm dhunën në veri të Kosovës. Zhvillimet e fundit janë të papranueshme”, thuhet në deklaratën e Ashton, bën më dije radio Evropa e Lirë.Ashton shtoi se dhuna nuk do të tolerohet dhe se veprimet e njëanshme nuk janë rruga për të ecur përpara.

Top Channel