Meta: Reforma jo në minutën e fundit

29/07/2011 19:45

Kreu i LSI-së, Ilir Meta deklaron se ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhen bërë që tani për të mos i lënë problemet në minutën e fundit.

Ndërsa lidhur me idenë e ndryshimeve kushtetuese, Meta tha se ata që pranuan se gabuan njëherë nuk duhet të nxitohen të gabojnë përsëri.

“Së dyti, reforma zgjedhore nuk mund të kushtëzohet me ndryshime kushtetuese apo ndryshime të tjera. Këto janë dy çështje krejt të ndryshme. Sepse përsa i takon reformës zgjedhore ka një urgjencë dhe urgjenca ka të bëjë pikërisht me faktin që zgjedhjet e tjera të qershorit të 2013-s janë afër, nuk janë aspak larg. Dhe ne e dimë shumë mirë se si ikën koha dhe në këtë drejtim duhet që ndryshimet në kodin zgjedhor të bëhen në mënyrë të studiuar, transparente, gjithëpërfshirëse e të pjekur pra jo në mënyrë të nxituar”, është shprehur Meta.

”Ndërsa, përsa i takon çështjes së ndryshimeve kushtetuese, është pozitiv fakti që pranohet sot edhe nga autorët e këtyre ndryshimeve të natës së errët të 21 prillit të tre viteve më parë, që ishin të nxituara, ishin të gabuara, por kjo nuk do të thotë që të gabojmë përsëri me ndryshime të nxituar dhe të gabuara. Sepse kushtetuta është ligj themeltar i një shtetit dhe kushtetuta nuk mund të ndryshohet sa herë që ndryshon pozicion politik i një individi apo qoftë edhe i një force politike apo disa të tjerave. Apo qoftë edhe gjithë forcat politike. Kushtetuta është e të gjithë qytetarëve shqiptarë, është bërë me referendum dhe natyrisht çdo proces rishikimi duhet bërë në mënyrë transparente, duhet të ketë kohën e tij dhe nuk duhet të realizohet nën presionet politike të interesave të çastit”, theksoi Meta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA