Situata në Veri të Kosovës mund të ketë pasoja negative mbi stabilitetin në Maqedoni.

Kështu vlerëson analisti shqiptar në Shkup, Kim Mehmeti. Ai thotë se zhvillimet e fundit të iniciuara nga qarqet serbe kanë për qëllim ndryshimin e kufijve të Ballkanit. Edhe pse me i sheh skeptcizëm idetë për krijimin e shteteve të mëdha, ai thotë se projektet e tilla nuk duhet nënçmuar.

“Veriu i Kosovës nuk ka të bëjë vetëm me stabilitetin e Kosovës por ka të bëjë në mënyre indirekte edhe me stabilitetin e Maqedonisë. Kush nuk e kupton këtë nuk ka kuptuar shumë për sa i përket të ardhmes së kësaj pjese të Ballkanit. Maqedonia e tillë siç është e hartuar nga mbeturinat e shteteve fqinje, ajo edhe më së shumti ndjen tronditjet që ndodhin në fqinjësinë e saj”, shprehet Mehmeti.

Por ndryshe mendon analisti maqedonas Sasho Ordanovski. Ai vlerëson se ngjarjet në Kosovë nuk paraqesin rrezik për Maqedoninë në planin e sigurisë. Sipas tij, dëmi më i madh nga këto ngjarje do të jetë në planin politik dhe ekonomik.

“Kjo që po ndodh në Kosovë e ktheu rajonin përsëri në mediat botërore si një vend jostabil dhe kjo do të ketë pasoja negative mbi zhvillimin e ekonomisë rajonale, sepse askush nuk dëshiron të investojë në vende jostabile. Maqedonia është vend që ka nevojë të madhe për investime të huaja dhe këto ngjarje besoj që nuk kontribuojnë që të rritet interesi për investime të reja nga jashtë”, thekson Ordanovski.

Analistët në Maqedoni nuk besojnë se ngjarjet në Veri janë të rastësishme. Ata vlerësojnë se nga këto zhvillimeve do të krijohen pozicione të reja dhe do të përshepejtohet procesi negociator.

 

Top Channel