Ngjarjet e fundit në veri të Kosovës izolojnë lagjet dhe fshatrat veriorë të banuara me shqiptarë.
Banorët e Kodrës së Minatorëve cdo ditë udhëtojnë me autobus nga veriu në jug dhe anasjelltas. Por të mërkurën ky autobus stacionin e fundit e pati te ura e lumit Ibër, mbi të cilën ishin vendosur forca të shumta të KFOR-it.
Një banor, i cili për shkaqe sigurie nuk do të dalë para kameras, vendosi të shkojë në këmbë në lagjen e tij duke iu shmangur rrugës kryesore dhe duke kaluar nëpër oborret e fqinjëve.
KFOR-i ka bllokuar për automjete urën që lidh dy pjesët e qytetit të Mitrovicës. Ndërkaq, një ushtar i KFOR-it duket i motivuar teksa pyet secilin qytetar se nga poshkon.
Më e brishtë duket situata e sigurisë në Lagjen e Boshnjakëve. Në disa familje shqiptare janë larguar gratë dhe fëmijët, ndërsa kryefamiljarët e kanë rrotulluar orarin e gjumit. Flenë ditën për të bërë roje natën.
“Shqetësime ka, gjendja është sic shihet. Do flemë ditën, natën do të rrijmë zgjuar, shqetësimet dhe tensionet janë. Tre fëmijët i kam larguar”, tregon Zymber Ismajli, banor i Lagjes së Boshnjakëve.
Përfaqëusesi i Lagjes së Boshnjakëve shprehet se pavarësisht situatës, komuniteti këtu mirëpret shtrirjen e autoriteteve kosovare në veri.
“Është mëse e mriëseardhur qeveria. Këtu është një parim, ose ka shtet ose nuk ka”, deklaron Florent Azemi.
Rrugët magjistrale që të cojnë te kufiri në veri vazhdojnë të jenë të bllokuara. Tanke të KFOR-it shihen duke zbarkuar në atë pjesë, por Policia e Kosovës nuk duket asgjëkundi.
Detyra e tyre të enjten ishte të qëndrojnë 200 metra larg ushtarëve të KFOR-it në brendi të urës kryesore të lumit Ibër.
Edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti nuk mundi të na japë informacione për pikat kufitare.
“Rruga është mbyllur nga ora 20 nga KFOR-i dhe vazhdon të jetë e mbyllur për makinat, ndërkohë që për këmbësorët është e hapur”, bën të ditur Zahiti.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, KFOR-i konfirmoi marrjen nën kontroll të pikave 1 dhe 31. Po kështu është bërë e ditur se pika 1 është mbyllur për shkak të dëmtimeve nga djegia që iu bë një natë më parë.
Por kontrollet e automjeteve të vogla, sic njofton KFOR, po bëhen sepse janë të domosdoshme. Burime policore bëjnë të ditur se në pikën 31 janë të vendosur disa policë kosovarë dhe disa doganierë, të cilët janë më shumë vëzhgues të situatës.
Edhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Faith, duke kundërshtuar dhunën dhe frikësimin, kërkon zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës me mjete paqësore.
Top Channel