Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek ka fajësuar Serbinë për dhunën e regjistruar në veri të Kosovës.

Duke shprehur qëndrimin e saj përmes një komunikate për shtyp, Lunacek ka thënë se gjithcka e filloi Beogradi me mosmarrëveshjet e tij për kufijtë.

Sipas saj, aktet e regjistruara ditën e djeshme, janë simptoma të prishjes së dialogut nga ana e palës serbe, pas masave të reciprocitetit të marra nga pala kosovare.

“Me bllokimin e dialogut Serbia filloi mosmarrëveshjet në kufi, të cilat arritën kulmin. Serbia duhet të njohë menjëherë vulat doganore të Kosovës”, ka deklaruar Lunacek.

Eurodeputetja ka theksuar se pala serbe dhe ajo kosovare duhet të kthehen sa më shpejt në tryezën e bisedimeve, në mënyrë që të zgjidhin mosmarrëveshjet.

“Autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë duhet të kthehen menjëherë në tryezën e bisedimeve”, ka thënë Lunacek, e cila ka kërkuar nga BE që t’i bëjë presion Beogradit në këtë drejtim.

KFOR kontrollon doganat

Mbyllet pika kufitare 1 në Jarinë për shkak të dëmtimeve të rënda në infrastrukturë dhe rrezikut nga shembja, njofton zyra përinformim e KFOR-it.

Në një komunikatë,KFOR-i njofton se kamionët nuk janë lejuar të futen nëpërmjet kësaj pike, kurse automjetet e vogla private mund të kalojnë kufirin me rrezikun e tyre, ndonëse do të kontrollohen nga KFOR-i për armë.

Në pikën kufitare 31 në Bërnjak,njoftojnë paqeruajtësit, kontrollimet janë shumë të rrepta për shkaqe sigurie.  KFOR-i njofton se vazhdon të zbarkojë trupat e veta në tërë veriun e Kosovës për të ruajtur qetësinë, sigurinë dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes.

Kosovë, Kuvendi miraton rezolutën

Kuvendi i Kosovës miratoi me 89 vota pro Rezolutën, përmes së cilës i jepet plotësisht mbështetje Qeverisë për vënien e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës

Kuvendi i ben thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta ndihmojë Kosovën në këtë proces.

Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës mbështet të drejtën kushtetuese të Qeverisë së Kosovës për ushtrimin e kontrollit të plotë në tërë territorin e shtetit, kërkon që të respektohen masat e reciprocitetit me Serbinë në të gjitha pikat doganore.

Thaci:Nuk ka me kthim prapa

Në seancën e sotme parlamentare kryeministri Hashim Thaçi ka bërë me dije veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës me vendimin e Qeverisë dy ditë më parë.

Thaçi, sipas Kosovapress, është shprehur se Kosova gjendet para një ballafaqimi të ri, i cili nuk është i lehtë.

“Skenari i Serbisë për ndarjen e veriut të Kosovës nuk do të ndodhë kurrë dhe me asnjë çmim. Institucionet e Kosovës do të shfrytëzojnë të gjithë autoritetin kushtetues dhe ligjor për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit dhe për t’u përballur me të gjithë njerëzit e mosrespektimit të rendit dhe ligjit”, ka theksuar Thaçi para deputetëve.

Kryeministri Thaçi siguroi se nuk do të ketë kthim prapa, ndërsa ftoi qytetarët për qetësi, solidaritet, mirëkuptim dhe besim tek institucionet e Republikës së Kosovës dhe tek KFOR-i.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA