Kryesuesi i radhës i OSBE-së, ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë Audronius Azubalis, ka dënuar incidentet e dhunshme që ndodhën këto ditë në veri të Kosovës dhe ka inkurajuar dialogun mes palëve.
“Veprime të tilla rrisin tensionet dhe dobësojnë frymën e bashkëpunimit që është e domosdoshme për progres. Unë bëj thirrje për qetësi dhe ftoj të gjitha palët që të punojnë me KFOR-in dhe EULEX-in që të kthejnë ambientin e qetë dhe të sigurt”, ka deklaruar Azubalis.
Përmes një deklarate dërguar mediave, ministri i Jashtëm ka thënë se, ndihet i inkurajuar nga deklaratat “e përgjegjshme” të disa liderëve që bëjnë thirrje për qetësi dhe dënojnë dhunën.
“OSBE fton të dyja palët që t’i kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Vetëm përmes dialogut konstruktiv mund të zgjidhen problemet dhe të përmirësohet jeta e njerëzve të rëndomtë”, ka shtuar Azubalis.
Top Channel