Kuvendi i Kosovës miratoi me 89 vota pro Rezolutën, përmes së cilës i
jepet plotësisht mbështetje Qeverisë për vënien e rendit dhe ligjit në
tërë territorin e Kosovës
Kuvendi i ben thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta ndihmojë Kosovën në këtë proces.
Rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës mbështet të drejtën kushtetuese të Qeverisë së Kosovës për ushtrimin e kontrollit të plotë në tërë territorin e shtetit, kërkon që të respektohen masat e reciprocitetit me Serbinë në të gjitha pikat doganore.
Thaci:Nuk ka me kthim prapa
Në seancën e sotme parlamentare kryeministri Hashim Thaçi ka bërë me dije veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës me vendimin e Qeverisë dy ditë më parë.
Thaçi, sipas Kosovapress, është shprehur se Kosova gjendet para një ballafaqimi të ri, i cili nuk është i lehtë.
“Skenari i Serbisë për ndarjen e veriut të Kosovës nuk do të ndodhë kurrë dhe me asnjë çmim. Institucionet e Kosovës do të shfrytëzojnë të gjithë autoritetin kushtetues dhe ligjor për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit dhe për t’u përballur me të gjithë njerëzit e mosrespektimit të rendit dhe ligjit”, ka theksuar Thaçi para deputetëve.
Kryeministri Thaçi siguroi se nuk do të ketë kthim prapa, ndërsa ftoi qytetarët për qetësi, solidaritet, mirëkuptim dhe besim tek institucionet e Republikës së Kosovës dhe tek KFOR-i.
Vetevendosja propozon zgjidhjen
Lëvizja Vetëvendosje propozon zgjidhjen e situatës në veri duke kërkuar fillimisht që presidentja të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.
Në një komunikatë për shtyp, lëvizja kërkon të ndërmerren edhe hapat e tjerë si ndërprerja e procesit të bisedimeve me Serbinë, aktivizimi i të gjithë burimeve qytetare dhe institucionale për mbrojtjen e Kosovës, thellimi i bashkëpunimit me Shqipërinë, SHBA-të dhe BE-së, ripërcaktimin e pranisë së BE-së në Kosovë, si dhe kërkon prej qeverisë që të diskutojë në parlament strategjinë e marrjes së kontrollit në veri të vendit.
Lëvizja e drejtuar nga Albin Kurti, theksoi se aksioni i qeverisë në veri, nuk ishte i mirëorganizuar, duke e konsideruar hapin e ndërmarrë pa plan.
Beogradi, thirrje për qetësi
Beogradi bën thirrje për dialog dhe u kërkon qytetareve në veri të Kosoves të ruajnë qetësinë përballeve tensioneve në rritje.
“Qeveria serbe i ben thirrje qytetareve ne Kosove dhe Metohi te qendrojne te qete, t’i permbahen cdo dhune dhe te mos i pergjigjen provokimeve. Qendrimi i Qeverise serbe eshte qe te gjitha ceshtjet e hapura te zgjidhen vetem permes dialogut. Dhuna, nga secila pale, nuk eshte rruga per te zgjidhur problemin. Qeveria Serbe mendon se asnje presion vecanerisht i dhunshem nuk duhet te zbatohet sepse mund te demtoje apo te ndaloje dialogun. Per ne dialogu eshte menyra e vetme per te zgjidhur problemet ne Kosove dhe Metohi, e vetmja menyre per te arritur stabilitet ne kete rajon dhe per te arritur pajtimin historik mes serbeve dhe shqiptareve”, tha zëdhënësi i qeverisë Milivoje Mihajlovic.
Top Channel