KFOR-i ka shpallur “zona të kufizuara ushtarake” pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, ku dje u verifikuan akte dhune dhe u dogj njëra prej tyre.

Lajmin e ka bërë të ditur komandanti i KFOR, Erhard Byhler, i cili ka paralajmëruar se ushtarët janë të autorizuar të hapin zjarr në rast rreziku.

“Unë nuk mund të përjashtoj një përpjekje tjetër, por që të dyja portat janë deklaruar zona të kufizuara ushtarake dhe rregullat janë shumë të qarta”, ka deklaruar Byhler në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Gjenerali gjerman ka theksuar se personat e paautorizuar për të hyrë në dy pikat kufitare rrezikojnë të qëllohen nga ushtarët nëse afrohen.

“Ushtarët mund të përdorin armët vdekjeprurëse për të mbrojtur veten, për të mbrojtur njerëzit, për të mbrojtur pronën, zonën e kufizuar ushtarke. Kushdo që nuk është i autorizuar që të punojë ose të kalojë portat nuk duhet të jetë afër tyre”, ka paralajmëruar Byhler.

Top Channel