Koordinatori i Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike në Beograd, Dushan Janjic ka deklaruar se sulmet në veri të Kosovës dhe djegia e pikës kufitare atje kanë qenë aksione të koordinuara.

Analisti serb, duke iu referuar një zyrtari nga vendi i tij, është shprehur se aktet e dhunës e kanë zanafillën në Beograd.

“Më duhet të them se ata janë tanët, pasi tek ne ka individë me ngjyra të ndryshme dhe shteti jonë atje funksionon në mënyra të ndryshme”, ka pohuar Janjic.

“Pra, pa marrë parasysh se kush i ka dërguar në mënyrë të organizuar, është e qartë se ata kanë qenë të organizuar. Ata kanë ardhur të gatshëm dhe kanë bërë më të keqen e mundshme”, ka vijuar ai.

Analisti është shprehur se serbët në veri të Kosovës kanë përsëritur skenarin e katër viteve më parë, me dallimin e vetëm se nuk është djegur ambasada amerikane.

“Jam i bindur se bëhet fjalë për një ngjarje të mirëorkestruar, të cilën po e dirigjojnë disa violina nga Beogradi”, ka shtuar Janjic.

Top Channel