Debati për votën e Topit

28/07/2011 15:30

Votimi i Presidentit të Republikës shkaktoi mjaft debate e polemika në
kohën kur KQZ-ja hapi për herë të parë kutinë e qendrës ku votoi Bamir Topi
dhe ku rezultoi një vote për Edi Ramen.

 Ne fakt, pamjet tregojne se presidenti votoi gabim. Por a ishte vetem ai qe votoi gabim dhe ku shkoi vota e presidentit?

Në votimin e 8 majit, presidenti mori fletët e votimit, ku dy prej tyre kishin madhësi të njëjtë dhe ngjyra të ngjashme: ishin fletët për kryetarin e minibashkisë dhe kryetarin e bashkisë së madhe. Te njera kishte vetëm 2 kandidatë, Armond Halebi dhe Idrit Fortuzi, kurse te tjetra tre, Edi Rama, Lulzim Basha dhe Hysni Milloshi. Për të mos i ngatërruar duhet kujdes. Por në momentin e votimit Presidenti pasi vendoset pas kutive për të lëjuar mediat të filmojnë, ngatërron dy fletë votimi.

Më datë 18 maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve merr vendim për të numëruar fletët e hedhura në kutitë e gabuara, për të cilat kishte sinjalizime apo ankesa nga disa KZAZ.
Dy ditë më vonë, pasi procesi kishte filluar, KQZ-së i paraqiten edhe disa kuti të tjera, për të cilat Komisioni nuk kishte marrë vendim.

Megjithatë shumica në KQZ vendos atypëraty për t’i përfshirë edhe këto kuti të reja, mes të cilave gjendet një kuti e qendrës ku votoi Presidenti. Mbledhja vazhdon dhe kutitë e minibashkisë 9 hapen me rend rritës, pra nga qendrat e votimit me numër më të vogël në ato me numër më të madh. Nga fundi, KQZ fut për shqyrtim kutinë për kryetar minibashkie të qendrës së votimit 1968.

Në kutinë e kryetarit të minibashkisë, KQZ gjen vetëm një votë të gabuar për kryetarin e bashkisë së madhe, që është për Edi Ramën. Vota iu atribua Presidentit Bamir Topi.

Në këtë moment marrëdhëniet personale të Presidentit me ish-ministrin e Brendshëm nuk janë më si më parë. Pas ngjarjeve të 21 janarit, kur Kryeministri foli për Presidentin si “zotëria i bulevardit” dhe aludoi për implikimin e tij në një puc shtetëror, ministri Lulzim Basha nuk u distancua qartë nga këto akuza në dëshminë që dha përpara komisionit hetimor parlamentar. Në këto kushte ideja se Bamir Topi ka votuar për Edi Ramën, mund të zërë vend lehtë. Por vota e dhënë për kundërshtarin e përbetuar të partisë demokratike e diskretiton rëndë Presidentin e dalë nga kjo parti, te e cila ka qenë nënkryetar dhe kryetar i grupit parlamentar. Pavarësisht qëndrimit jomilitant që Presidentit i nevojitet si kryetari i shtetit, në momentin e votimit edhe presidenti si një qytetar i thjeshtë duhet të ndjekë zemrën e tij. A rreh majtas zemra e Bamir Topit?
 
Më 13 qershor Kolegji Zgjedhor urdhëron KQZ-në të numërojë të gjitha fletët e hedhura gabim. KQZ hap edhe 1793 kuti të tjera, mes të cilave edhe kutitë e tjera të qendrës 1968 ku votoi Presidenti. Në përfundim të numërimit të ri, kemi këtë proces-verbal. Ky është një dokument kyc, për të kuptuar se si janë shpërndarë votat e hedhura gabim.
 
Në kutinë për kryetarin e Bashkisë së madhe gjenden 5 fletë votimi, nga të cilat 1 për këshillin e bashkisë së madhe dhe 4 për kandidatët për kryetar minibashkie, nga të cilat 3 për Armond Halebin dhe 1 për Indrit Fortuzin. Përvec kësaj, nga 4 fletët e hedhura gabim të gjetura në kutinë e këshillit bashkiak apo 2 në këshillin e njësisë bashkiake, nga një votë i takon Armond Halebit.

Në total, kemi 6 vota të hedhura gabim për kryetarët e minibashkive dhe vetëm 1 votë për kandidatët për kryetar të bashkisë së madhe. Kjo është vota e vetme që u gjet për Edi Ramën gjatë numërimit të parë në kutinë e kryetarit të minibashkisë, të shënuar në këtë proces-verbal me shënimin “numëruar”. Mirëpo për ekuivalencë, meqë për kryetarin e minibashkisë u gjetën 6 fletë të hedhura gabim, edhe për kryetarin e bashkisë së madhe duhet të ishin gjetur edhe 5 vota të tjera, nga të cilat, të paktën 4 duhet të ishin gjetur në kutinë e kryetarit të minibashkisë. A u hoqën fletë nga kjo kuti përpara numërimit të parë, në mënyrë që aty të gjendej vetëm një votë për Edi Ramën? Kjo është një pikëpyetje e madhe.

Megjithatë për një moment le ta hedhim poshtë ekuivalencën e gabimit. Pra le të pranojmë se në kutitë për kryetarin e minibashkisë dhe të bashkisë së madhe nuk ka pse gjendet respektivisht i njëjti numër votash gabim. Pra mund të pranohet se megjithëse fletët ngjajnë, për shkak se janë më të vogla dhe kanë ngjyrë të përafërt, fletët mund të ngatërrohen me tjetër kuti. Apo mund te ndodhe qe një votues që sapo ka hedhur votën gabim, të kuptojë gabimin e tij dhe ta hedhë voten e duhur në të njëjtën kuti.

Në këtë rast ky votues do të votonte dy herë në të njëjtën kuti. Mirëpo edhe në këtë rast, në fund fletët do të duhej të rakordonin. Po të shohim tabelën e rezultateve për kryetar të bashkisë së madhe pas nderhyrjes se dyte te KQZ-se, vihet re një mospërputhje shifrash. Pas ndërhyrjes së dytë të KQZ-së mungojnë 5 vota. Pra ka 612 zgjedhës për 596 vota të vlefshme dhe 11 të pavlefshme. Mungon vullneti i 5 zgjedhesve qe kane votuar më 8 maj. Për kë kanë qenë këto vota? Dhe a kanë qenë ato të hedhura gabim te kutia e kryetarit minibashkisë në të cilën u tha se kishte vetëm një votë të gabuar që i përkiste Edi Ramës, votë që iu atribua më pas Bamir Topit?

Në këto kushte dyshimi që bie mbi këtë qendër votimi, nuk na thotë se për kë ka votuar Bamir Topi. Por ky dyshimi i fortë e bën sërish anonime votën e presidentit, ashtu sic duhet të ishte që në fillim. Ndërkohë që batutat e fundit të kryeministrit, që e identifikon veten me Partinë Demokratike, theksojnë akoma më shumë luftën brenda kësaj partie, mes bashkëpunëtorëve të dikurshëm.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta