Dëmtohet Ura e Milotit

28/07/2011 09:20

Shfrytëzimi i inerteve në lumin Mat po dërgon drejt shkatërrimit edhe urat që janë të vendosura mbi këtë lumë.

Një nga urat më të rrezikuara është edhe Ura e Milotit, vetëm një kilometër larg këtij qyteti. Ura e Miotit është vendosur mbi shtratin e lumit Mat në rrugën nacionale që tashmë është “pagëzuar” edhe me emrin “Rruga e Vjetër”. Kjo urë ka qenë edhe nyja lidhëse dhe vazhdon të jetë sërish për lidhjen e zonës veriore të vendit me Shqipërinë e mesme.

Marrja e materialeve inerte ka bërë që 24 këmbët e kësaj ure të zbulohen plotësisht dhe madje disa prej tyre të shtrembërohen, ndërkohë që askush nuk ka ndërhyrë për bllokimin e marrjes së inerteve.

Pamjet tregojnë qartë shkatërrimin e kësaj ure. Sikur të mos mjaftonte marrja e inerteve në lumë, duke shkatërruar këmbët e urës, ka nisur edhe prishja e parmakëve anësore duke u marrë për skrap.

Në pjesën jugore të urës janë prishur edhe strukturat e betonit duke ju marrë hekurat pothuajse në të gjithë gjatësinë. Në këtë urë kalojnë treni i linjës Shkodër – Vorë, si dhe i mallrave që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, si dhe mjetet që lëvizin nga Miloti në drejtim të Lezhës, Mirditës apo anasjelltas.

Ura është ndërtuar rreth viteve 1978, ndërsa ka një gjatësi prej 840 metra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA