Pak minuta pasi një kontigjent i KFOR-it amerikan vendosi të futet në Mitrovicën e veriut, strukturat paralele serbe shpallën gjendjen e jashtëzakonshme. (UPDATE)

Pak orë më pas, pikës kufitare 1 në Jarinje iu vu zjarri sërish, ashtu sic ngjau një ditë pas shpalljes së pavarsisë së Kosovës.

Pak minuta para se t’u vihej zjarri pikave kufitare, EULEX njoftoi se ka në menaxhim të plotë dy pikat kufitare në veri.

Ndërkohë, sulmet e serbëve kanë vazhduar gjatë gjithë pasdites, ku është raportuar se kanë shtënë me armë në drejtim edhe të dy helikopterëve të KFOR-it, të cilët po transportonin doganierë shqiptarë për në pikat kufitare 1 dhe 31.

Serbët vazhdojnë ende t’i mbajnë të bllokuara rrugët. Alarmi për gjendje të jashtëzakonshme në pjesën veriore u dha të mërkurën, ku janë urdhëruar të gjithë pronarët e dyqaneve, afaristë, apo lokalet që të mbyllen nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 15 të ditës.

Ky vendim u mor pasi nuk u arrit ndonjë marrëveshje në favor të serbëve gjatë takimit mes komandantit të KFOR-it dhe strukturave paralele. Komandanti i KFOR-it Erhard Byhler ka zhvilluar edhe një takim me negociatorin serb Borko Stefanovic.

Ndërkohë, ekipi i TCH ka arritur të intervistojë dy qytetarë të cilët kishin tentuar të kalonin në pikën kufitare 31, por ata janë kthyer mbrapsht dhe nuk janë lejuar të kalojnë për në Serbi. Të intervistuarit shqiptarë, për shkaqe sigurie, nuk kanë dashur të identifikohen.

“Ka shumë qytetarë. Ne donim të kalonim andej por na kthyen prapa, kishte polici kosovare dhe serbe. Më parë kishte pasur shumë qytetarë dhe barrikada rrugës. Pastaj nuk donim vetë të shkonim. Doganierë kosovarë s’kemi parë”, ka treguar i intervistuari.

Ai ka thënë se, rreth 400 qytetarë serbë ishin grumbulluar tek pika kufitare dhe nuk po lejonin asnjë person të kalonte. Shqiptarë kanë shtuar se nuk kanë parë asnjë polic shqiptar të Kosovës apo doganier. Rrugës ata kishin takuar vetëm një polic serb të Policisë së Kosovës.

Ndërkohë, gjatë mesditës së të mërkurës shoferë të kamionëve, kryesisht të komunitetit boshnjak, treguan se kolona e automjeteve në pikën 31 ishte shumë e madhe dhe se nuk po pengoheshin për t’u futur në qendër të Kosovës. Ata thanë se, gjatë gjithë rrugës kanë hasur në banorë serbë të grumbulluar nëpër skaje të rrugëve.

Ndërkohë, misioni i BE-së, EULEX, nëpërmjet një njoftimi për shtyp bën thirrje për qetësi. Thirrje për qetësi kanë bërë pothuajse të gjitha institucionet ndërkombëtare në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA