Shtetet e Bashkuara kanë shprehur keqardhje se veprimet e ndërmarra nga
qeveria e Kosovës për të marë kontrollin në vendkalimet kufitare ne veri
të Kosovës, nuk ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar.
Në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë që të vazhdojnë të punojnë urgjentisht drejt qetësimit të situatës aktuale.
Gjithashtu SHBA u kanë bërë thirje të gjitha palëve që të përmbahen nga përdorimi i dhunës.
Ashton: Aksioni në veri, jo i duhur
Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Cathrin
Ashton deklaroi se Bashkimi Evropian nuk pajtohet me vendimin e
autoriteteve në Kosovë për të ndërmarrë aksionin në veri të vendit.
“Është thelbësore tani që të qetësojmë situatën dhe të kthehemi aty ku
ishim”, ka thënë Maja Kocijançic, në një intervistë për radion Europa e
Lirë. Sipas saj, EULEX është i gatshëm të ndihmojë autoritetet në Kosovë
për ta bërë një gjë të tillë.
Zëdhënësja thotë se cështja e vulave dhe tregëtisë duhet të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve.
Ajo gjithashtu ka thënë se Bashkimi Evropian është i mendimit se as vendimi për embargon nuk ka qenë i dobishëm.
BE, KFOR dhe EULEX kritikojnë operacionin
Faktori ndërkombëtar në Kosovë nuk e ka mirëpritur operacionin e njësive
speciale për marrjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31 në veri
të vendit.
Misioni EULEX, përmes një komunikate për shtyp ka deklaruar se cështje
të tilla duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe përmes dialogut.
“Është e rëndësishme që situata aktuale të zgjidhet në mënyrë të qetë
dhe paqësore. EULEX po bashkëpunon ngushtë me KFOR-in për ta bërë këtë
dhe për të ruajtur sigurinë”, thuhet në komunikatë.
Në këtë njoftim, misioni evropian për rendin dhe ligjin mohon cdo përfshirje të tijin në këtë operacion të Policisë së Kosovës.
“EULEX dhe BE e kanë bërë të qartë se cështja e vulave dokanore duhet të
zgjidhet vetëm përmes dialogut Prishtinë-Beograd”, thuhet më tej në
komunikatë.
Top Channel