Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka vendosur që
polici i njësisë speciale të Policisë, i cili humbi jetën në krye të
detyrës, të shpallet hero.
Enver Zymberi, do të dekorohet për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Presidentja Jahjaga medaljen do t’ia dorëzojë familjes Zymberi në një ceremoni të veçantë.
Zymberi u plagos ne nje prite
Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Enver Zymberi ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra në një pritë në komunën e Zubin Potokut, gjatë mesditës të së martës.
Sipas informacioneve polici Enver Zymberi, 32-vjeçari ishte plagosur me armë zjarri në kokë, ndërsa ka ndërruar jetë pak minuta pas orës 22 të ditës së martë.
Ngushellimet e presidentes dhe kryeministrit
Presidentja Atifete Jahjaga i është drejtuar me një telegram ngushëllimi
familjes Zymberi nga fshati Dubovc, djali i së cilës, pjesëtari i
Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi humbi jetën,
gjatë gjatë aksionit të njësisë speciale.
”Enveri dhe kolegët e tij, duke qenë në krye të detyrës për ruajtjen e
rendit dhe ligjit dhe për vendosjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë
në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, dhanë një shembull të
sakrificës së jashtëzakonshme, përkushtimit të pashoq dhe
profesionalizmit të lartë”, shkruan presidentja.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas marrjes së lajmit i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes së Enver Zymberit nga fshati Dubovc i komunës së Vushtrrisë.
Në telegramin e ngushëllimit thuhet se “sakrifica e Enverit në mbrojtje të kufijve të atdheut, të shtetit të Kosovës, do të mbetet përherë në kujtesën dhe zemrën e qytetarëve të Kosovës, duke identifikuar njëkohësisht përkushtimin e tij për mbrojtjen e lirë dhe paqes në vendin tonë”.
Po ashtu, në këtë telegram të kryeministrit thuhet se falë tij edhe policëve të kalibrit të tij të lartë, institucionet e Kosovës arritën ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në pikat kufitare në veri të vendit, thuhet ndër tjerash në telegramin ngushëllues dërguar familjes Zymberi.
Top Channel