Ka hyrë në ditën e tretë greva e urisë së minatorëve të Bulqizës.
Ata janë ngujuar nën tokë 1000 metra dhe prej andej kërkojnë plotësimin e kërkesave që lidhen me kushtet e sigurisë në punë, pagat si dhe perspektivën e minierës.
Ndërkohë gjendja shëndetësore e minatorëve është përkeqësuar ndjeshëm për shkak se nën tokë temperaturat janë të ulta dhe lagështira e ajrit është shumë e lartë.
Janë gjithsej 30 minatorë që janë ngujuar nën tokë ndërkohë që në sipërfaqe, në mbështetje të tyre janë pjesa tjetër e minatorëve që nuk janë larguar nga dera e pusit kryesor.
Greva e urisë së minatorëve nisi pas gati 21 ditësh grevë të përgjithshme dhe 5 ditë protestash në Tiranë.
Pasi nuk morën përgjigjet që prisnin, minatorët u kthyen në Bulqizë për të nisur një grevë urie të paralajmëruar shumë më herët.
Ndërkohë mësohet se disa prej minatorëve kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
1 mije metra nen toke
Një grup minatoresh kanë hyrë në një prej galerive të minierës, 1 mijë metra nën tokë, ku kanë vendosur të vijojnë aty një grevë urie.
Minatorët 23 ditë më parë nisën një proteste duke ndërprerë punën dhe duke i paraqitur kompanisë koncesionare ACR një listë me kërkesa që kanë të bëjnë me rritjen e pagës me 20 për qind, rritjen e sigurisë në punë, perspektivën e minierës për të mos e lënë atë të mbyllet dhe largimin e nënkontraktorëve nga zona D.
Ministria e Ekonomisë vendosi pezullimin e pjesshëm të kompanisë ACR në
zonën D dhe pezullimin e kompanive nënkontraktore në këtë zonë.
Ndërkohë, ACR premtoi një rritje page prej 10 për qind, por minatorët
nuk pranuan. U bënë disa takime mes palëve pa konkluduar në një vendim
përfundimtar, ndërkohë që minatorët për 5 ditë me radhë protestuan në
Tiranë dhe në fund vendosën të kthehen në Bulqizë, ku sot nisën edhe
grevën e urisë. Ndërkohë, kompania ACR ka kërkuar rikthimin në punë të
minatorëve.
Top Channel