Gjendja e sigurisë në qytetin e Mitrovicës është e tensionuar. Në hyrjet dhe daljet e qytetit vërehen autoblinda të shumta të KFOR-it, të cilat po vazhdojnë rrugën në drejtim të veriut. (UPDATE)
Ekipi i Top Channel ka filmuar disa nga përgatitjet e trupave amerikane të KFOR-it, të cilët shkonin në drejtim të portës 31 të veriut të Kosovës.
Ndërkohë, kamionet që vijnë nga veriu për në drejtim të Kosovës nuk kanë të ndalur, ndërkohë që po ngrihen barrikada nga serbët në rrugë.
Strukturat paralele serbe të veriut të Kosovës kanë shpallur gjendjen e jashtëzakoneshme. Alarmi është dhënë që nga dita e sotme dhe janë urdhëruar të gjithë pronaret e dyqaneve apo lokaleve që të mbyllen nga ora 7 e mëngjesit deri nga ora 15 të ditës.
Sipas burimeve të TCH në veri, ky vendim ka ardhur pasi nuk është arritur ndonjë marrëveshje në favor të serbëve gjatë takimit me komandantin e KFOR-it.
Komandati i KFOR-it Erhard Byhler takimet i kishte zhvilluar me zyrtarë të strukturave paralele në veri. Për më tepër, Byhler ka zhvilluar edhe një takim me kryenegociatorin serb Borko Stefanovic.
Ndërkohë, ekipi i TCH ka arritur t’i intervistojë dy qytetarë të cilët kishin tentuar të kalonin në pikën kufiatre 31, por ata nuk janë kthyer mbrapsht dhe nuk janë lejuar të kalojnë për në Serbi.
Sipas tyre, më shumë se 400 qytetarë serbë kanë uzurpuar pikën kufiatre dhe nuk po lejojnë asnjë person të kalohet. Ata thonë se nuk kanë parë asnjë policë shqiptar të Kosovës apo doganier. Rrugës ata kishin takuar vetëm një polic serb të Policisë së Kosovës.
Top Channel