Komanda e KFOR-it ka konfirmuar përkeqësimin e situatës në veri të Kosovës, konkretisht në pikën doganore numër 1, në Jarinje, të cilës i është vënë zjarri.

Gjithashtu, përmes një komunikate për shtyp është konfirmuar edhe lajmi se është qëlluar me armë zjarri në distancë të afërt ndaj personelit të KFOR-it.

Komanda bën gjithashtu të ditur se do të përforcojë gjatë natës masat e sigurisë në këtë pikë kufitare, për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

“Ky është një proces në vazhdim dhe KFOR pret që pas përforcimeve rendi do të vendoset shumë shpejt”, nënvizohet në komunikatë.

Ndërkohë, KFOR ka shtuar tashmë masat e sigurisë në pikën kufitare 31 në Bernjak, ku është siguruar edhe mbrojtja personale.

Top Channel