“S’mund të tolerojmë që një pjesë e Kosovës të jetë vrimë e zezë dhe që të cënohet sovraniteti i Kosovës.”

Kjo ka qenë vendosmëria e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë të mbajtur mbrëmjen e së martës, pas aksionit të Policisë Speciale të Kosovës për të marrë nën kontroll dy pikat kufitare, në veri.

“Nuk mund të lejojmë që një pjesë e atdheut tonë të shfrytëzohet për kontrabandim mallrash”, është shprehur kryeministri kosovar.

Në anën tjetër, meqë pjesa veriore është e banuar me shumicë serbe, kryeministri i ka garantuar qytetarët e asaj ane se aksioni nuk është i drejtuar kundër tyre, por pikërisht që ata të jenë më të sigurtë.
Sipas z. Thaçi, i gjithë qëllimi i veprimit është që të vendoset rendi dhe ligji, e jo që të bëhet ndonjë provokim.

Po ashtu, kreu i ekzekutivit kosovar ka drejtuar thirrje në adresë të Beogradit zyrtar; “Të reflektojë dhe të evropianizojë qasjen në raport me shtetin e Kosovës. Ne punojmë për hapjen e kufijve dhe jo për ndryshimin e tyre.

Sipas tij, vendimi i së hënës ishte i rëndë, por i drejtë. Ndërsa duke folur për raportet e qeverisë me ndërkombëtarët për këtë çështje, Thaçi tha se partneriteti duhet të ruhet si sytë e ballit, por “Kushtetuta është e shenjtë”.

“Kushtetuta dhe sovraniteti i vendit tim janë të shenjta për mua”, theksoi Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka falënderuar policët për profesionalizmin e treguar dhe se policët e plagosur do të kenë gjithë ndihmën e shtetit për shërim.
Po ashtu, falënderime ka patur edhe për KFOR-in, për kontrollimin e situatës.

Vendimi i qeverisë për ndërhyrje policore në veri është përshëndetur edhe nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, që sipas saj është i qëlluar dhe i përkrahur nga i gjithë populli e spektri politik i Kosovës, por edhe nga faktori ndërkombëtar.

Top Channel