Sukaj: Mund të iki, por edhe të qëndroj

26/07/2011 12:00

Pas një aventure jo të suksesshme në gjysmën e parë të sezonit të kaluar
te NK Zagreb në Kroaci, Xhevahir Sukaj është rikthyer sërish në shtëpi
te Vllaznia, ku në gjysmën e dytë të Superiores zhvilloi një kampionat
mesatar në ngritje, ndërsa shpërthimin e tij e pati në ndeshjet e
paraeliminatore të Europa League.

Një gjë e tillë nuk u ka shpëtuar menaxherëve të huaj, të cilët janë vazhdimisht në gjuetinë elementëve cilësorë. Ofertat për momentin nuk i mungojnë, aq sa pak ditë më parë tronditi klubin, duke deklaruar se nuk e shikonte veten pjesë të klubit shkodran për sezonin e ardhshëm edhe pse ka edhe një vit kontratë që e lidh me kuqeblutë.

Por duket se pak ditë më vonë ka reflektuar dhe në fjalët që nxjerr nga goja nuk është e vështirë të nënkuptohet pasiguria e madhe për të ardhmen. Dëshira e tij është të luajë jashtë. Por që kjo të realizohet nevojitet që kushtet e ofertës që do të vijnë të kënaqin jo vetëm atë, por edhe klubin shkodran, i cili është padron i kartonit të tij. Nëse një gjë e tillë nuk do të jetë e mundur, vetë Sukaj pranon se do të impenjohet edhe për një tjetër sezon me Vllazninë.

“Edhe pse kam disa oferta në dorë dhe po i studioj, asgjë konkrete nuk ka në këtë drejtim, ka rrëfyer dje sulmuesi i shkodranëve. Unë mund të largohem nga Shkodra vetëm nëse më vjen një ofertë më e mirë nga klubet e huaja, e cilado të plotësojë interesat e mia, por edhe të klubit ‘Vllaznia’, me të cilin kam edhe një vit kontratë. Pra duhet të jetë një ofertë, që të na kënaqë të dyja palët, për ndryshe, e sigurt, që do të qëndroj edhe një sezon te kuqeblutë”, ka pohuar autori i dy golave në dy turet e para paraeliminatore të Europa League për Vllazninë.

Interesimet e skuadrave jashtë Shqipërisë për të nisën menjëherë pas ndeshjes së parë ndaj Birkirkara në Maltë. Ndërkohë që ofertat reale iu shtuan pas paraqitjes së mirë në sfidën e dyfishtë me Thunin në Shqipëri dhe Zvicër, ku menaxherë të ndryshëm e kishin ndjekur nga afër, gjë që bëri edhe të shtohen zërat për largimin shumë të mundshëm të tij në një kampionat të huaj. “Frenimi” aktual i lojtarit duket se ka baza të një natyre ekonomike, pasi siç duket ofertat nuk janë dhe aq të kënaqshme financiarisht. Gjithsesi, në ditët e ardhshme pritet më shumë dritë rreth mundësisë të largimit të tij nga Vllaznia, pasi edhe detajet e ofertave do të kristalizohen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA