Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës presin që produktet maqedonase të zëvendësojnë mallrat e importuara nga Serbia.
Sekretari gjeneral në Ministrinë Kosovare të Eurointegrimeve, Edon Çana theksoi se Maqedonia duhet ta shfrytëzojë mundësinë për promovimin e prodhimeve cilësore në tregun kosovar.
“Përfituesi më i madh i masave të reciprocitetit në rajon do të jetë Maqedonia, duke pasur parasysh që një pjesë shumë e madhe e tregut në Kosovë mbulohet nga prodhuesit maqedon. Në këtë fatkeqësi Maqedonia ka një shansë që t’i zëvendësojë produkte që në mënyrë shumë kualitative i prodhon dhe të cilat nuk kanë qenë prezente në tregun e Kosovës”, është shprehur Çana.
Zyrtari kosovar, Edon Çana këto komente i bëri në Shkup pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim ndërkufitar si pjesë e projekteve IPA, me kolegun e tij maqedonas Johan Andonovski. Ky i fundit vlerëson se marrëveshja, në mënyrë plotësuese do t’u ndihmoj eksportuesve nga Maqedonia.
“Maqedonia eshte partneri më i madh tregtar i Kosovës dhe realizimi i këtij projekti infrastrukturor do të kontribojë që Maqedonia në mënyrë plotësuese t’i shfrytëzojë mundësitë për tregun e Kosovës. Ky projekt ka rëndësi të madhe ekonomike, për ndërlidhjen e dy shteteve”, theksoi Andonovski.
Marrëveshja e lartë përmendur parashikon financimin e një objekti të përbashkët për shërbime doganore në pikën kufitare Bellanoc – Stançiq mes Maqedonisë dhe Kosovës, që do të hapet gjatë vitit të ardhshëm.
Top Channel