Kërkohet flori në zonën e Rubikut

26/07/2011 08:15

Një kompani e vogël e regjistruar në Kanada njoftoi së fundmi se pas shpimeve të kryera në zonën bakërmbajtëse të Rubikut, ka arritur të identifikojë shtresat e tokës ku ka prezencë më të madhe të floririt.

Kompania thotë se aktualisht po kryen eksperimente për të zbuluar metodën më të mirë për të nxjerrë arin nga masa tjetër e dheut para se të vendosë nëse do të fillojë shfrytëzimin e burimit apo jo.

Kompania ka kryer dymbëdhjetë shpime në zonë dhe ka zbuluar se në thellësi të ndryshme mund të gjendet nga 1.3 deri në 3 gramë ar për ton.

Përmbajtja e arit në zonë është vënë re fillimisht nga gjeologët shqiptarë që e vrojtuan zonën për mineral bakri.

Gjatë kohës së komunizmit, industria e bakrit kishte një seksion për ekstraktimin e arit duke përdorur elektricitetin.

Çmimi i arit në tregun ndërkombëtar është rritur gjatë dekadës së fundit me mbi pesë herë duke arritur në çmimin aktual prej 1500 dollarësh për onç. (Një onç ar përmban 31 gramë).

Megjithëse ari është një metal i lakmuar nga të gjithë, kur ai gjendet nën tokë, shpesh kostoja e prodhimit është më e lartë sesa çmimi i tij. Minierat e arit në Afrikën e Jugut p.sh., në fillim të viteve 2000, kur çmimi i arit qe në minimum, filluan të operojnë me humbje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA