Pas dy vitesh rritje të pandërprerë eksportet shqiptare po stopojnë këto muajt e fundit.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në muajin qershor eksportet ishin rreth 16.55 miliardë lekë, me një rritje të papërfillshme prej vetëm 0.2 përqind, krahasuar me qershorin e vitit 2010.
Ky është muaji i dytë rresht kur eksportet nuk rriten.
Në maj madje shifrat ishin edhe me keq, ku sipas INSTAT eksportet jo vetëm nuk u rritën, por ranë me 8.3 përqind krahasura me të njëtin muaj një vit më parë.
Në total si gjashtëmujor eksportet janë 20 përqind më të larta se vjet për shkak të rritjes që kishin muajt e parë të vitit.
Por tendenca po përmbyset duke konfirmuar parlajmërimet e Bankës së Shqipërisë se rritja e eksporteve është e përkohshme.
Rikthimi i thatësirës ka ndalur shitjen e energjisë elektrike, zërit që udhëhoqi rritjen e eskporteve vitin e kaluar.
Në 2010-ën KESH eksportoi jashtë rreth 120 milionë euro energji, që përbënte mbi dhjetë përqind të totalit të eksporteve.
Por sapo këtë vit Shqipëria ndërpreu shitjen e energjisë eksportet u ndalën. Stanjacioni i eksporteve ndryshon edhe llogaritë për rritjen ekonomike.
Vitin e kaluar ishte pikërisht rritja e fortë e eksporteve që udhëhoqi rritjen ekonomike të vendit.
Ngrirja e tyre tashmë mund të ulë pritshmëritë për rritjen ekonomike, në kushtet kur INSTAT dhe Banka e Shqipërisë kanë konfirmuar uljen e konsumit të brendshëm dhe kur qeveria u detyrua të tërhiqet nga shpenzimet e larta nga frika e borxhit.
Top Channel