Faktori ndërkombëtar në Kosovë nuk e ka mirëpritur operacionin e njësive
speciale për marrjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31 në veri
të vendit.
Misioni EULEX, përmes një komunikate për shtyp ka deklaruar se cështje të tilla duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe përmes dialogut.
“Është e rëndësishme që situata aktuale të zgjidhet në mënyrë të qetë dhe paqësore. EULEX po bashkëpunon ngushtë me KFOR-in për ta bërë këtë dhe për të ruajtur sigurinë”, thuhet në komunikatë.
Në këtë njoftim, misioni evropian për rendin dhe ligjin mohon cdo përfshirje të tijin në këtë operacion të Policisë së Kosovës.
“EULEX dhe BE e kanë bërë të qartë se cështja e vulave dokanore duhet të zgjidhet vetëm përmes dialogut Prishtinë-Beograd”, thuhet më tej në komunikatë.
Reagime kanë ardhur edhe nga komandanti i trupave të KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos përdorin dhunën për zgjidhjen e problemeve në veri apo në vijën administrative me Serbinë.
“KFOR nuk pranon asnjë lloj dhune. Në një shoqëri demokratike mendimet e ndryshme apo qëndrimet e kundërta duhet të zgjidhen me diskutime dhe negociata”, ka deklaruar Buhler përmes një deklarate për shtyp.
Ai ka bërë të ditur se pasi është informuar për situatën, ka vënë në gatishmëri disa njësi të trupave të KFOR-it që të ndërhyjnë në rast nevoje.
Edhe përfaqësuesi i posacëm i BE-së në Prishtinë, Fernando Gentilini ka kritikuar qeverinë kosovare për këtë operacion.
“Operacioni i kryer mbrëmë nga autoritetet e Kosovës nuk ishte i dobishëm. Ai nuk është bërë në konsultim me bashkësinë ndërkombëtare dhe BE nuk e ka miratuar atë”, ka deklaruar Gentilini.
Top Channel