Procesi i lustrimit në Maqedoni po përdoret nga pushteti për hakmarrje politike. Kështu është shprehur Vlladimir Millcin, profesor në Fakultetin e Arteve në Shkup, të cilin Komisioni i Lustrimit javën e kaluar e ka shpallur bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete.
Millcin, në një konferencë për gazetarë, shpalosi dosjen e tij dhe sqaroi se ka qenë i ndjekur nga shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë, ndërsa mohoi të ketë bashkëpunuar.
“Nuk ka mundësi që një person që ka qenë i ndjekur, në të njejtën kohë të ketë qenë edhe bashkëpunëtor. Bëhet fjalë për gënjeshtra dhe montazhe. Jemi të ballafaquar me të ashtuquajturin “proces i lustrimit”, qëllimi i të cilit është pastrimi i llogarive me personat që nuk mendojnë si pushteti. Por mua frika nuk do të ma mbyllë gojën”, deklaroi Millicin.
Por akuzat e profesorit të arteve janë hedhur poshtë nga kryetari i Komisionit për Lustrim Tome Axhiev, i cili ka thënë se në bazë të ligjit profesori duhet të tërhiqet nga profesioni, për shkak se Komisioni ka konstatuar bashkëpunimin e tij me shërbimet sekrete.
“Ekziston një dosje e cila përmban deklarata me të cilat ai pranon bashkëpunimin me shërbimet sekrete. Pra, fillimisht ka qenë i ndjekur dhe më pas ka pranuar të bashkëpunojë”, deklaroi Axhiev.
Procesi i lustrimit në Maqedoni nxiti shumë polemika edhe mes partive shqiptare vitin e kaluar. Pas publikimit të disa dokumenteve të cilat ngarkonin drejtuesit e BDI-së dhe UCK-së për bashkëpunim me shërbimet sekrete, BDI akuzoi PDSH-në se qëndron pas publikimit të tyre.
Por akuzat e këtilla u mohuan nga PDSH-ja, e cila paditi në gjyq përfaqësuesit e BDI-së për shpifje. Dokumentet kompromentuese për BDI-në u shpallën të pavlefshme nga Komisioni i Lustrimit për shkak se ishin të kopjuara.
Top Channel