Mbetet e paqartë nëse misioni europian, EULEX, do të zbatojë ose jo vendimin e qeverisë së Kosovës për të ndaluar hyrjen e mallrave serbe nga pikat kufitare që ndodhen në pjesën veriore të Kosovës.

Zëdhënësja e EULEX-it, Aleksandra George citohet nga mediat në Prishtinë të ketë thënë se:

“EULEX-i është i njoftuar me vendimin e qeverisë së Kosovës. Ne ende jemi duke e diskutuar fushëveprimin dhe efektin e këtij vendimi. Në vazhdim janë duke u bërë disa diskutime me zyrtarët e qeverisë së Kosovës për të parë pasojat e kësaj mase”.

Por, pavarësisht nëse EULEX-i e zbaton ose jo vendimin, sipas drejtorit të doganave Naim Huruglica, kjo nuk do të ndikojë meqë importi i mallrave nga ajo pjesë ka rënë për shkak se tashmë ata e kanë kuptuar që ato mallra do të ndalohen dhe konfiskohen.

“Nuk ka vetë tendencë që të vijnë ato mallra. Edhe nëse nuk zbatohet në 100 për qind masa, tregtarët e dinë që ato mallra nuk hyjnë pasi është territor doganor. Gjithashtu, ne mund të shkojmë në masa të tjera”, ka deklaruar Huruglica.

Ndërkaq, përveç ruajtjes së pikave kufitare nga stafi prezent, atje çdo gjë vëzhgohet edhe nga Prishtina, nga Qendra Nacionale për Kontrollin e Kufijve, përmes kamerave që janë të vendosura nëpër pikat kufitare.

Përmes tyre shihet se kamionët vazhdojnë të qëndrojnë në pikën kufitare në Merdarë. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, këmbëngul që kamionët të kthehen në Serbi.

“Kemi informatën zyrtare se një kamioin është kthyer në Serbi dhe është pranuar nga autoritetet serbe dhe këshilla ime është që të kthehen mbrapa të gjithë”, ka deklaruar Lila.

Në anën tjetër, sipas zëdhënësit të doganave AdriatikStavileci, pavarësisht ndalimit të importit të mallrave me vula doganore serbe, sipas të dhënave, nuk ka patur rritje të importit nga vendet e tjera fqinje.

“Nuk kemi import të mallrave serbe nga të gjitha pikat. Ndoshta është ende herët të thuhet se është rritur importi nga vende të treta”, ka pohuar Stavileci. Sipas Stavilecit, deri më tani nuk ka patur ndonjë problemnë zbatimin e vendimit.

Gjate së hënës ministrja Mimoza Kusari – Lila ka zhvilluar takime me biznesmenë në Oden Ekonomike të Kosovës dhe Aleancën Kosovare të Bizneseve, ku ka marrë mbështetjen e të dy institucioneve për vendimin e marrë javën e kaluar.

Sipas ministres, nëse Serbia nuk shqetësohet për një treg që ka vlerën e qindra miliona eurove, atëherë më së paku do të shqetësohet Kosova.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA