Serbia duhet të përgatitet për cdo situatë me Kosovën, edhe për një kushtëzim eventual të njohjes së saj nga Bashkimi Evropian.
Kështu ka deklaruar numri dy i qeverisë serbe, Ivica Dacic, i cili megjithatë ka shprehur shpresën e tij se BE nuk do ta kushtëzojë anëtarësimin e Serbisë me njohjen e Kosovës.
“Presidenti Boris Tadic ka marrë garanci nga SHBA dhe BE se Serbisë nuk do t’i kërkohet të njohë Kosovën dhe se deri në fund të bisedimeve nuk do të ketë ndryshim të realitetit në terren në Kosovë”, ka deklaruar Dacic.
Shqetësimi i Beogradit zyrtar vjen në një kohë kur disa nga vendet anëtare të BE kanë deklaruar se Serbia nuk mund të anëtarësohet pa zgjidhur më parë cështjen e Kosovës.
Ajo që ka trembur më shumë qeverinë serbe ka qenë Gjermania, ambasadori i të cilës në Prishtinë tha se, BE-ja asnjëherë nuk do t’i pranojë brenda vetes dy shtete që nuk e njohin njëra-tjetrën.
Top Channel