Breivik, nis hetimi për celulat e tjera

25/07/2011 23:30

Policia norvegjeze po heton mbi deklaratën e Anders Behring Breivik, i cili pranoi se nuk kishte vepruar i vetëm, por me ndihmën e dy celulave me të cilat bashkëpunonte. (UPDATE)

Kjo është seanca e parë dëgjimore pas ngjarjeve tragjike, shpërthimit të bombës ne Oslo dhe masakrës në kampin e Utojas, ku në total humbën jetën 76 persona, 17 me pak sec ishte thënë në fillim.

Breivik i cilësoi sulmet si një sinjal shokues për popullin norvegjez. Ai do të qëndrojë për tetë javë në qeli.

Gjykatësi Kim Heger tha se gjatë kohës së izolimit ai nuk mund të marrë letra apo të presë vizitorë, përvec avokatëve të tij. Ndërsa shëndeti i tij mendor do të ekzaminohet nga dy psikiatër.

“Deklaratat e bëra nga i akuzuari për policinë dhe në seancën dëgjimore kerkojnë hetim të mëtejshem, përfshirë edhe deklaratën për dy celula të tjera. Këto hetime mund të kryhen pa patur ndikimin e personit të akuzuar”, deklaroi Heger.

Breivik akuzohet për akte terroriste. Akuzat përfshijnë destabilizimin e funksioneve jetësore në shoqëri, edhe qeverinë, duke shkaktuar frikë serioze tek njerëzit.

Gjykatësi tha se ai ka pranuar autorësinë e sulmeve por jo fajësinë. Megjithëse Heger tha më herët se seanca do të ishte me dyer të mbyllura, që Breivik të mos e përdorte për të justifikuar aktet e tij, ai në fund të saj citoi 32-vjecarin duke dhënë një pjesë të deklaratës së tij.

“Operacioni nuk ishte për të vrarë shumë njerëz, por për të dhënë një sinjal të qartë që s’mund të keqkuptohej. Për aq kohë sa Partia Laburiste do të vazhdojë linjën e saj ideologjike, duke prishur kulturën norvegjeze dhe duke importuar në masë myslimanët, atëherë ata duhet të marrin përgjegjësi për këtë tradhëti dhe cdo person me një ndërgjegje nuk mund të lejojë që vendi i tij të kolonizohet nga myslimanët”, citoi gjyqtari 32-vjecarin.

Mbi 100 mijë persona u mblodhën në Oslo për të përkujtuar viktimat. Më herët, kryeministri Jens Stoltenberg në intervisten e tij të parë për BBC-në pas ngjarjeve tragjike, tha se pas tyre, Norvegjia mund të ndryshojë, por do të vazhdojë të mbetet e hapur dhe demokratike.

Ai tregoi se kishte njohur personalisht shumë prej atyre që u vrane mizorisht nga Breivik në kampin e Utojas. Për Stoltenberg, asnjë vend nuk mund të vetëmbrohet plotësisht nga sulme të tilla.

Në mesditë u mbajt  një minutë heshtje në kujtim të viktimave. Mijëra njerëz qëndronin përpara katedrales së kryeqytetit të mbushur me lule.

Ndërkohë, sic raporton gazeta “Aften Posten”, Norvegjia ka shtyrë nisjen e fushatës përpara zgjedhjeve të 12 shtatorit, e cila pritet të nisë në gjysmën e dytë të gushtit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA