Ekstremisti norvegjez që mori me gjakftohtësi të plotë jetën e të paktën
93 personave, pak muaj para aktit që tronditi Norvegjinë dhe botën
mbarë kishte publikuar në internet projektin e tij.

Sipas Telegraf, manifesti ku mbështetej teoria ekstremiste e Anders Behring Breivik, ka një titull tejet domethënës: “Deklarata e Pavarësisë së Evropës”.

Brenda këtij manifesti, vrasësi ekstremist kishte paraparë të gjitha aksionet që pritej t’i vinte në jetë njërin pas tjetrit.

Ashtu si teoria shfarosëse e nazizmit ndaj hebrenjve, manifesti i ekstremistit të djathtë norvegjez ka si lajtmotiv çlirimin e Evropës nga kultura islamike dhe sistemi shoqëror multi-kultural marksist.

Në këtë manifest, Breivik flet edhe për shqiptarët, të cilët i cilëson si njerëz të pamëshirshëm dhe të vendosur. Sipas tij shqiptarët drejtojnë botën e nëndheshme në Evropë. Ekstremisti i rendit shqiptarët, e në veçanti kosovarët, si pjesë të xhihadit islamik global, që ka si lajtmotiv islamizimin e popujve të Evropës.

Trojet shqiptare, sipas Breivik, janë të pushtuara nga xhihadistët. “Në planet e dëbimit të pastrimit të Evropës nga islamikët, trojet shqiptare do të jenë një zonë e rëndësishme tranziti për një numër të madh të të larguarve”, ka shkruar ai.

Madje, shfrenimi i ekstremistit shkon deri aty sa kërcënon shkatërrimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, të cilën e cilëson instrument për islamizimin e Evropës.

Ai kërkon krijimin e një aleance të re, si ajo e ushtrive të kryqëzatave, ku të përfshihet edhe Rusia. Manifesti me simbole të lashta të besimeve kelte, dhe me referenca mbi historinë e kalorësve templarë, është firmosur nga Andreë Breivik, pikërisht në versionin anglo-sakson të emrit të tij.

Top Channel