“Nga lashtësia në ditët tona”

24/07/2011 18:10

Nën magjinë e mureve të Kalasë së Bashtovës, në jugperëndim të rrethit të Kavajës, orkestra frymore e Forcave të Armatosura çeli mbrëmjen e kaluar koncertin e titulluar “Shqipëria e traditave artistike nga lashtësia në ditët tona”.

Koncerti bazohej në “Ritualin e jetës” me regji të Arian Sukniqit dhe interpretimin virtuoz të artistëve të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor.

Ai përcolli para pjesmarrësve linjat nëpër të cilat kalon jeta njerëzore si një cikël, mbështetur në ritualet tradicionale të pjesës mbi Shkumbin, Gegërisë.

Gjama e mortit ka çelur etnomuzikalin, por edhe kur vdekja godet, dashuria për jetën triumfon duke e shndërruar piskamën artistike të vajit në ritmet e valleve të Malësisë shoqëruar me efekte vizuale mbi bedenat e kalasë.

Përmes lëvizjeve artistike të balerinëve dhe të kënduarit triumfi i jetës vjen përmes bukurisë së vajzës dhe dashurisë për t’u pasuar nga rituali i dasmës dhe përtëritja e jetës me lindjen e një fëmije.

Shfaqja artistike u ndoq me interes nga banorë të zonës, pushues vendas dhe të huaj, si dhe përfaqësues të lartë të shtetit dhe misioneve ndërkombëtare e diplomatike në vendin tonë.

E ndërtuar në shek. XV, në mes të fushës, Kalaja e Bashtovës të mahnit me pamjen e saj, ndërsa ndërtimi i rrugës rurale e bën dhe më të lehtë mbërritjen në këtë monument kulture që dëshmon historinë dhe gjurmë të qytetërimit të zonës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA