Kosova dhe Shqipëria nënshkruan një marrëveshje për transportin rrugor. Për Kosovën, marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota, ndërsa për Shqipërinë nga ministri i Transportit, Sokol Olldashi.
Por, çfarë do të përfitojnë dy vendet nga kjo marrëveshje?
“Lehtësohen shumë procedurat e njohjes së ndërsjellë të lejeve. Pra, lejet që janë të dhëna në Kosovë njihen në Shqipëri dhe anasjelltas. Na lejon operacionet e kaputazhit, pra një transportues nga Kosova mund të vijë në Kukës dhe mund të kryejë një transport të brendshëm nga Kukësi në Elbasan dhe të rikthehet në Kosovë”, deklaroi ministri Olldashi.
Në anën tjetër janë bërë dy vjet kur Shqipëria kishte vendosur që portin e Shëngjinit t’ia jepte Kosovës, por që nga ajo kohë shfrytëzimi i tij nuk ka filluar.
Ministri Olldashi foli edhe ne lidhje me vendimin për shfrytëzimin e portit të Shëngjinit nga Kosova. Ky vendim i marrë dy vjet më parë ende nuk është vënë në jetë, por ministri shpjegon se vullneti politik është ai që ka qenë, por i takon sipërmarrësve private të investojnë.
“Edhe ne edhe qeveria e Kosovës jemi shprehur qartë, dhe po rikonfimojmë qëndrimet tona. Porti i Shëngjinit është i disponueshëm në cdo sekondë për Kosovën. A ka biznesi i Kosovës projekt për ta komercializuar portin? Sepse kjo duhet të vijë nga bota e sipërmarrjes private, sepse as qeveria e Kosovës, as e Shqipërisë nuk janë investitorë”, sqaroi Olldashi.
Më herët Kosova dhe Shqipëria kanë arritur edhe një marrëveshje tjetër të ngjashme, në fushën e transportit ajror.
Top Channel