Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini thotë se edhe pse vendimi për embargon ka qenë i detyrueshëm, tani do të këtë një ngritje të lehtë çmimesh të produkteve.
Në një intervistë për TCH, zoti Shahini shpjegon se, asnjë vend në botë nuk mund të funksionojë vetëm me produktet vendase.
“Mund të jetë një ngritje e lehtë e cmimeve, por do të ndihet. Të merren masa për të qenë të pranishëm në tregun e Kosovës, duke ulur cmimet, etj”, deklaron Shahini.
Teksa thotë se vendimi për reciprocitet duhet të merrej patjetër, Shahini i sugjeron qeverisë kosovare që të heqë taksat doganore, së paku për produktet baze, të cilat importohen nga shtetet e tjera fqinje.
“Ne si alternativë kemi dhënë që të hiqet dogana për produktet esenciale që pothuajse kanë dominuar në Kosovë. Këto produkte të vijnë pa iu nënshtruar doganës”, sugjeron Shahini.
Por, pavarësisht kësaj, mallrat serbe kanë shumë rrugë alternative nga të cilat mund të futen në territorin kosovar.
“Jo vetëm përmes Maqedonisë, por edhe Shqipërisë, Malit të Zi, Kroacisë, të gjitha vendeve të CEFTA-s. Produktet serbe mund të shkojnë në Maqedoni dhe kjo t’i cojë në Kosovë me vulën maqedonase. Dhe ne duhet ta respektojmë këtë”, vlerëson Shahini.
Ndërkohë, përllogaritet se Kosova ka patur një shifër prej 300 milionë euro importe në vit nga Serbia, kryesisht mallra bazë.
Në anën tjetër, një hulumtim i Aleancës së Bizneseve tregon se nga bllokimi i deritanishëm që kishte bërë Serbia dhe Bosnje-Hercegovina, Kosova ka pësuar humbje deri në 40 milionë euro.
Top Channel