Në Maqedoni janë ndezur debatet pas ndryshimeve që pësoi Ligji për Radiodifuzion me propozim të mazhorancës.

Opozita edhe gazetarët akuzuan pushtetin, se po tenton të fusë nën kontroll Këshillin e Radiodifuzionit dhe po mundohet të heshtë mediat kritike.

“Ne si opozitë vlerësojmë se qëllimi i këtyre ndryshimeve është që të shkatërrohet pavarësia e Këshillit Radiodifuziv dhe më pas pushteti të vendosë dikataturë dhe regjim në të gjitha mediat dhe posacërisht të sanksionojë ato media të cilat nuk mendojnë si përfaqësuesit e qeverisë”, ka deklaruar Marjanço Nikollov, deputet i LSDM-së.

Ndërsa për Shoqatën e Gazetarëve, është e papranueshme procedura e shkurtuar me të cilën u miratuan ndryshimet dhe rritja e numrit të anëtarëve të Këshillit nga 9 në 15.

“Ne jemi të detyruar të tërheqim dy anëtarët e Këshillit që i kemi dërguar ne atje. Ne nuk duam të legjitimojmë këtë Këshill politik të cilin dëshiron që ta formojë qeveria”, është shprehur Naser Selmani, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni.

Lidhur me këto ndryshime ka reaguar edhe OSBE-ja. Përmes një letre drejtuar kreut maqedonas të Parlamentit, Trajko Veljanovski, kjo organizatë ka kërkuar që të bëhet revizion i procedurës për ndryshime në Këshillin Radiodifuziv, pasi vlerëson se e njëjta ka qenë jo transparente.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e pushteti thonë se tendenca e ndryshimeve është të rrisë cilësinë dhe efikasitetin e punës në Këshillin për Radiodifuzion.

Top Channel