Incidenti në veri nga xhandarmëria serbe, Kosova thirrje ndërkombëtarëve për të shtuar presionin ndaj Beogradit Në Maqedoni janë ndezur debatet pas ndryshimeve që pësoi Ligji për Radiodifuzion me propozim të mazhorancës.
Opozita edhe gazetarët akuzuan pushtetin, se po tenton të fusë nën kontroll Këshillin e Radiodifuzionit dhe po mundohet të heshtë mediat kritike.
“Ne si opozitë vlerësojmë se qëllimi i këtyre ndryshimeve është që të shkatërrohet pavarësia e Këshillit Radiodifuziv dhe më pas pushteti të vendosë dikataturë dhe regjim në të gjitha mediat dhe posacërisht të sanksionojë ato media të cilat nuk mendojnë si përfaqësuesit e qeverisë”, ka deklaruar Marjanço Nikollov, deputet i LSDM-së.
Ndërsa për Shoqatën e Gazetarëve, është e papranueshme procedura e shkurtuar me të cilën u miratuan ndryshimet dhe rritja e numrit të anëtarëve të Këshillit nga 9 në 15.
“Ne jemi të detyruar të tërheqim dy anëtarët e Këshillit që i kemi dërguar ne atje. Ne nuk duam të legjitimojmë këtë Këshill politik të cilin dëshiron që ta formojë qeveria”, është shprehur Naser Selmani, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni.
Lidhur me këto ndryshime ka reaguar edhe OSBE-ja. Përmes një letre drejtuar kreut maqedonas të Parlamentit, Trajko Veljanovski, kjo organizatë ka kërkuar që të bëhet revizion i procedurës për ndryshime në Këshillin Radiodifuziv, pasi vlerëson se e njëjta ka qenë jo transparente.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e pushteti thonë se tendenca e ndryshimeve është të rrisë cilësinë dhe efikasitetin e punës në Këshillin për Radiodifuzion.
Top Channel